Mungon i akuzuari, dështon seanca fillestare për vjedhje të rëndë

Mungon i akuzuari, dështon seanca fillestare për vjedhje të rëndë

Mungesa e të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Blert Binaku, ka bërë që të dështojë seanca fillestare ndaj tij, e paraparë të mbahej të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Gjykatësja e rastit Sabrije Rraci, ka thënë se i akuzuari ka qenë i ftuar përmes ftesës së rregullt.

“Nuk kemi dëshmi që i njëjti e ka pranuar ftesën, mirëpo në gjykatë është lajmëruar prindi i të njëjtit, i cili tha se djali i tij gjendet jashtë shtetit”, ka deklaruar gjykatësja Rraci.

Në këtë seancë prezent ishte edhe prokurori i çështjes, Astrit Gashi.

Duke u bazuar në këtë, gjykatësja Rraci, ka marr aktvendim që seanca të shtyhet në kohë të pacaktuar, sipas saj, derisa të krijohen kushtet ligjore për mbajtjen e seancës.

Në këtë rast, kanë qenë të akuzuar për vjedhje të rëndë në bashkëkryerje, edhe Dukagjin Hamza, Astrit Fazlia, si dhe Muhamet Binaku, por ndaj tyre ishte veçuar procedura gjyqësore.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 janar 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuari Blert Binaku, akuzohet se gjatë muajit gusht 2013, në fshatin Bokshiq të Klinës, në fabrikën e bllokave, me qëllim që të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo tjetrin, me dashje ka marrë pasurinë e luajtshme, të dëmtuarit Isa Ibishi, pronar i fabrikës së fjalë.

Në aktakuzë thuhet se pas një marrëveshje të mëparshme në mes vete, të pandehurit dhe dëshmitari i mitur C.B, së bashku shkojnë tek fabrika, e cila ishte në ndërtim e sipër, depërtojnë me forcë në brendësi të oborrit të saj, nga ku marrin 900 metra kabllo elektrike, e më pas të njëjtën e kanë shitur në deponinë e hekurishtes “Euro Steel”.

Për shkak të këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, të akuzuarit në bashkëveprim kanë kryer vepër penale të vjedhjes së rëndë, nga nenin 327, paragrafi 2, nën paragrafi 2.1, e lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi