Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për aksident

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për aksident

I akuzuari për rrezikim të trafikut publik, Gazmend Mustafa, nuk e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fatmire Cacaj, i akuzuari Mustafa e ka mohuar fajësinë.

Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi i çështjes Avdirrahman Gashi, e ka udhëzuar atë që deri në shqyrtimin e dytë gjyqësor të paraqesë kundërshtim ndaj provave në aktakuzë si dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Seancën e radhës, gjykatësi Gashi me aktvendim e ka caktuar për 13 qershor 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 7 nëntor 2018 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gazmend Mustafa po akuzohet se ka kryer veprën penale “ rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 par 8 lidhur me par 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se Mustafa me 7 shtator 2018, në rrugën nacionale  Prishtinë – Ferizaj, saktësisht në fshatin Babush i Muhaxherve, derisa ishte duke e drejtuar automjetin e tij, ka vepruar në kundërshtim me  nenin 61 .1.1 të Ligjit mbi Trafikun Rrugor.

Sipas aktakuzës, i akuzuari duke bërë tejkalim të pasigurt të automjeteve kur kalon në shiritin e kahes së kundërt me pjesën e përparme të anës së majtë e godet automjetin të cilin e drejtonte i dëmtuari Ylber Rekaj, ku të njëjtit i shkaktohen lëndime të rënda trupor, po ashtu lëndime të rënda trupore ka pësuar edhe i dëmtuari Aziz Breznica, ndërsa lëndime të lehta trupore ka pësuar, Vilson Rekaj si dhe janë shkaktuar dëme materiale. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi