Ishte prezantuar rrejshëm si person zyrtar lënda shkon në ndërmjetësim

Ishte prezantuar rrejshëm si person zyrtar lënda shkon në ndërmjetësim

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, të martën, e ka dërguar në Qendrën e Ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për mashtrim, Valmir Kryeziu.

Një gjë e tillë është vendosur pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit Kryeziu, avokatit Enver Ajvazi, si dhe me pëlqimin e të dëmtuarit Vesel Sylejmani, i cili nuk prezantoi në seancë, por që nëpërmes telefonit, paraprakisht e kishte njoftuar gjykatën se është i gatshëm dhe pajtohet që lënda ndaj të akuzuarit Kryeziu të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë propozim të të akuzuarit, nuk e ka kundërshtuar prokurori Ismet Ukshini, duke thënë se si kusht për këtë, duhet të përmbushen kushtet ligjore.

Lidhur me këtë, gjykatësi i rastit Sadri Krasniqi, mori aktvendim me anë të së cilit e aprovoi këtë propozim, që çështja penale ndaj të akuzuarit Kryeziu, të dërgohet në Qendrën e Ndërmjetësimit në Gjilan.

“Nëse brenda afatit ligjor prej 90 ditësh, nuk kemi ndonjë konfirmim për procedurën e ndërmjetësimit, atëherë gjykata do të caktojë shqyrtimin gjyqësor, dhe të gjitha palët do të ftohen në mënyrë të rregullt me ftesa gjyqësore”, tha gjykatësi Krasniqi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 30 korrik 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Valmir Kryeziu, me arsyetimin se ai më 22 prill 2018, rreth orës 22:00 në restorantin “Oda” në Hodonovc të Kamenicës, me prezantim të rrejshëm si person zyrtar me ndikim në Kuvendin Komunal të Kamenicës, me qëllim që vetit t’i sjell përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka kërkuar 2,000 euro nga i dëmtuari Vesel Sylejmani.

Bazuar në aktakuzë, këtë shumë i akuzuari e kishte kërkuar si kundërshpërblim për ndikimin e mundshëm tek organet komunale, me qëllim që i dëmtuari ta fitojë tenderin e mirëmbajtjes së automjeteve të Komunës së Kamenicës, dhe të nesërmen nga i dëmtuari ka kërkuar që të paguaj në llogarinë e tij një shumë të caktuar të të hollave, kinse të njëjtat i nevojiten për rregullimin e dokumentacionit për shpalljen e tenderit.

Me këtë, Valmir Kryeziu akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi”, nga neni 335 paragrafi 1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi