Nënshkruhet marrëveshja për aftësim të të rinjve me sindromën Down

Nënshkruhet marrëveshja për aftësim të të rinjve me sindromën Down

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqata “Down Syndrome Kosova” nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të aftësimit profesional të të rinjve me sindromën Down, në kuadër të implementimit të projektit “Promovimi i Aftësive për Punësim të Personave me Sindrom Down në Kosovë”.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri Skender Reçica dhe drejtoresha ekzekutive e “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Beqiri.

Ministri Reçica tha se MPMS në vazhdimësi është e përkushtuar në ofrimin e mundësive për punësim dhe aftësim profesional për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara.

Ndërsa, drejtoresha Beqiri shprehu falënderime për mbështetjen që MPMS po i jep të rinjve të shoqatës, në mënyrë që të kenë qasje në aftësim profesional duke theksuar se aftësimi profesional i të rinjve me sidromën Down është shumë i rëndësishëm.

Ndryshe, marrëveshja e nënshkruar parasheh që 56 të rinj me sindromën Down do të kenë mundësinë të ndjekin trajnim 3 mujor në fushën e aftësimit profesional, në Qendrat e Aftësimit Profesional në Ferizaj, Gjilan, Gjakovë e Pejë.