Përse duhet të dhurojmë gjak

Përse duhet të dhurojmë gjak

Dhurimi i gjakut është një akt human i cili shpëton jetë njerëzish. Gjaku i sigurt shpëton jetë dhe përmirëson shëndetin.

Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese e cila nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare dhe të rregullt nga njerëzit dhe pa pagesë.

Dhurimi i gjakut nevojitet për:

Gratë me komplikacione gjatë shtatzënisë, si dhe hemorragji përpara, gjatë dhe pas lindjes.

Fëmijët me anemi të theksuar që shpesh vijnë nga malaria dhe kequshqyerja.

Njerëzit të cilët pësojnë aksidente dhe u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike, për pacientët me kancer, si dhe në shumë ndërhyrje të tjera kirurgjike për sëmundje të ndryshme.

Gjithashtu, gjaku është i nevojshëm për njerëzit të cilët janë të sëmurë dhe duan në mënyrë të rregullt transfuzione gjaku, si pacientët me talasemi, me sëmundjen drepanocitare të gjakut, me hemofili, leuçemi etj.

Mund të bëhet dhurues i gjakut, çdo person i cili gëzon shëndet të mirë, peshon 50 kg e lart dhe ka moshën 18 – 60 vjeç.

Përjashtim të përhershëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje infektive si (Hepatit viral B, C, TBC, HIV, Sifiliz), që kanë kryer transplante, kanë diabet insulinovartë, sëmundje autoimune, tumore malinje, epilepsi, sjellje seksuale me rrezik të madh infektimi, si dhe përdoruesit e alkoolit dhe drogës.

Përjashtim të përkohshëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë marrë antibiotik ose sapo kanë mbaruar kurën 7 ditore me antibiotik, kollë dhe dhimbje fyti, që kanë kryer një ndërhyrje kirurgjike brenda vitit, gratë gjatë shtatzënisë dhe një vit pasi kanë lindur, si dhe gjatë ciklit menstrual, personat që kanë bërë tatuazhe apo pircinge në 4 muajt e fundit si dhe ata që kanë marrë transfuzione gjaku gjatë një trajtimi mjekësor apo ndërhyrjeje kirurgjike. Gjithashtu, përjashtohen personat që kanë bërë një vaksinë, kanë kryer marrëdhënie seksuale të rastësishme, kanë alergji të ndryshme në fazën akute si dhe ata që kanë kryer ekzaminime endoskopike.

Sa shpesh mund të dhurojmë gjak:

Të rinjtë që kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe peshojnë 50 kg dhurojnë 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj (me miratimin e prindërve). Burrat mund të dhurojnë 4 herë gjak gjatë një viti, me një diferencë prej 12 javësh midis dy dhurimeve të gjakut. Gratë në moshën e pjellorisë këshillohet të dhurojnë gjak 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj.

Sa gjak dhurohet:

Sasia maksimale e gjakut të marrë sipas ligjit në fuqi për secilin dhurues është 450ml (±10%).

Marrja e gjakut zgjat rreth 5 deri 8 min, dhe kryhet me materiale mjekësore sterile dhe një përdorimshe. Sasia e gjakut të dhuruar zëvendësohet brenda pak orëve, ndërsa duhen rreth 20 ditë që të rifitohet numri normal i qelizave.

Çfarë duhet bërë para dhe pasi dhurohet gjak:

Ditën që do të dhuroni gjak hani një mëngjes të lehtë dhe pini sa më shumë lëngje, si para ashtu edhe pas dhurimit të gjakut. Këshillohet të mos përdoren pije alkoolike dhe duhan. Mos kryeni aktivitete fizike të forta. Përpara dhurimit të gjakut mjeku do të bëjë kontrollin dhe vlerësimin klinik të dhuruesit (peshën, rrahjet e zemrës, tensionin, hemoglobinën), dhe do të kryej një bashkëbisedim të shkurtër me qëllim përpilimin e një pyetësori, gjë që përcakton aftësinë dhe pranimin për dhurim të gjakut.

Çfarë përfitoj unë nëse dhuroj gjak:

Çdo dhuruesi gjaku përfiton këto testime: gjak komplet, transaminazat ALT, konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh, testim për Hepatit B, C, HIV, Sifiliz dhe Citomegalovirus (CMV), nëse je dhurues periodik, përveç testimeve të sipërpërmendura kryhen edhe disa ekzaminime shtesë si: glicemia, kreatinemia, proteinemia, kolesterolemia, trigliceridemia, feritinemia. /ATSh


MË SHUME NGA Shëndetësi