Michael McClure: Egërsia

Michael McClure: Egërsia

Michael McClure (1932) është poet, dramaturg dhe romancier i brezit bit. Poezia e McClureit kombinon spontanitetin, eksperimentimin tipografik, praktikën budiste dhe “gjuhën e trupit”.

McClure është autor i përmbledhjeve të shumta të poezisë, duke përfshirë Dark Brown (1961), The Book of Joanna (1973), Antechamber & Other Poems (1978), Rebel Lions (1991), Huge Dreams (1999), Mysteriosos and Other Poems (2010), Mephistos and Other Poems (2016) etj. Po ashtu, është autor i dramës së njohur He Beard (Mjekra).

McClure shpesh ka lexuar dhe performuar poezitë e veta në përcjelljen e muzikës së kompozitorit Terry Riley dhe ka incizuar disa CD me Ray Manzarek (ish-anëtarin e grupit The Doors).

 

 

EGËRSIA

 

EGËRSIA E VËRTETË

PËRBËHET

NGA AKTET

që nuk janë

zbutur.

Shiko, hija e keqe

e seksit

që përsëritet

është dëshpërimi

i të burgosurve.

Krekosja adoleshente

e njerëzve të rritur

nuk është lëvizja e lirë,

por

çmenduria

e stresit.

Vrasjet e pafundme

dhe trupat

e ndotur

janë rrëmujë

e robotëve

dhe e kuçedrave shoqërore.

 

NE

SHOHIM

QARTË

JU

NJOFTOJMË

PËR KËTË!

 

Oh, noto

në botë;

 

            Liria

mund të shpaloset.

 

TASH NDIEJ ERËN E GJYSHES SIME TEKSA AJO MË

 

shikon me syze të trasha.

Shoh flokët e saj kaçurrela me tufat gri

në dredhë të kaftë. Ka njëfarë spërkatje

nga tiganisja e proshutës dhe petullave hikërrori

në tigan në stufën e vjetër, të zezë.

Gjyshi im e vë mënjanë kafen,

ngrihet dhe bie për të vdekur në dysheme.

Ka një milion zemra që jetojnë

në çdo trokitje të momentit.

Çdo nxjerrje fryme është një derë.

Haydn murmurinë, ndërsa qukapiku pendëkuq

përbiroi sqepin nëpër gjethe

dhe biron në gurët e murit.

 

Ne flemë, e Dashura Qenie, në mëngjes

bile as në ëndërr nuk shohim si bie një ton bomba

në festa dasmash,

dasma në malet e largëta

të ndritshme.

Jo një ton bomba, por fishekzjarrët e ëndrrave

na zgjojnë.

 

FANTAZITË E VOGLA

 

ÇFARË ELEGANCE

TË JESH MARGARITAR I GJALLË

në një vorbull të grumbulluar

që rrotullohet nëpër

kohë dhe hapësirë.

 

            duke hedhur

një rrjetë me lak si dantele

nga

trajektorja

ime,

e

            kap

këtë vete

në pavdekësinë

momentale.

Unë jam Goethe,

Schiller,

ose një nuselale e bardhë

e bardhë

që vërvitet në borë.

 

 

 

FYTYRA E NJERIUT

 

Fytyra e njeriut, fytyra e njeriut është vizion

i mishit të vërtetë, i trëndafilit të kaftë dhe të kuq.

Unë e dua fytyrën e njeriut!

Edhe fytyrën edhe trurin edhe trupin që varet,

sepse ngandonjëherë trupi duket që trupi varet përfundi fytyrës,

është Dashnor i Universit përmes

syrit të saj të errësuar nazeli. (Dhe ngandonjëherë fytyra

dhe trupi bashkohen në një kafshë të përsosur)

Por fytyra e njeriut është xhevahir i mishit

                        dhe e dua fytyrën

po aq

 sa

duart!

                        Ne jemi të përsosur.

 

DUKE LEXUAR PATERSONIN ME ZË TË LARTË

 

                        PO,

 KJO ËSHTË

 POEZI

 E PASTËR

- si Blake duke bredhur fushave

ose gjarpërinjtë pranë liqeneve

ku ngremë lart mburojat

me emrat tanë.

Njeriu, qyteti, ujëvara,

janë të gjithë të njëjtë.

Ky libër i prillit është

pa turp

dhe ai vallëzon

dhe shkëlqen

në errësirën

e një të kaluare

 

që nuk është larg!

 

(Përktheu nga anglishtja: Fadil Bajraj. Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)