Mungesa e prokurorit shtyn gjykimin ndaj ish-zyrtarëve të “KosInvest”

Mungesa e prokurorit shtyn gjykimin ndaj ish-zyrtarëve të “KosInvest”

Në mungesë të prokurorit Rafet Halimi, ka dështuar gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj ish-analistit të kredive në institucionin mikro-financiar “KosInvest”, në degën në Lipjan, Astrit Metaj, dhe ish-shefit të operativës dhe zëvendësdrejtorit të këtij institucioni në degën e Prishtinës, Avni Biqkaj.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Shadije Gerguri, prokurori Rafet Halimi e kishte njoftuar gjykatën se i kishte skaduar afati gjashtë mujor që kishte qenë i caktuar në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe se nuk kishte të drejtë të përfaqësonte lëndë, raporton ”Betimi për Drejtësi”.

Ajo tha se Prokuroria nuk kishte caktuar prokuror zëvendësues që të përfaqësojë këtë lëndë në vend të prokurorit Halimi.

Po ashtu, gjykatësja Gërguri njoftoi se ishte pajisur me vendimin për bashkimin e procedurës edhe për lëndë tjera për të akuzuarit, pasi në seancën e 23 marsit 2019, i akuzuari Metaj kishte kërkuar nga gjykata që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare dhe të bëhet bashkimi i procedurës për lëndët që po zhvillohen ndaj tij në këtë gjykatë.

Mirëpo, në mungesë të prokurorit, është pamundësuar mbajtja e kësaj seance, ndërsa seanca e radhës është caktuar me 5 korrik 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, ky rast më herët ka qenë në kompetencë të gjykatësit Valon Kurtaj, mirëpo më pas i njëjti është zgjedhur në pozitën e drejtorit të Akademisë të Drejtësisë.

Sipas aktit akuzues të përpiluar më 21 tetor 2016, të pandehurit Avni Biqkaj dhe Astit Metaj, më 22 nëntor 2013, në bashkëveprim me qëllim të përfitimit për vete apo për tjetrin kishin nënshkruar, gjegjësisht kishin falsifikuar dokumente, që si garantues për dhënien e një kredie kishin futur edhe të dëmtuarin Gani Kadria, fare pa nënshkruar dhe pa qenë prezent i njëjti, me ç’rast kishte përfituar në mënyrë të kundërligjshme Selatin Popova në shumë prej 6.500 euro.

Prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi