PSRK-ja kërkon dënimin e drejtorit të AHR-së

PSRK-ja kërkon dënimin e drejtorit të AHR-së

Prokurori special, Sylë Hoxha, ka kërkuar dënimin e drejtorit të Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH), Abdylkadër Muçaj, ndërkaq i akuzuari ka deklaruar se aktakuza është rast studimi, se si sipas tij, sistemi prokurorial nuk duhet të veprojë.

Këto deklarime, janë bërë në gjykimin që po zhvillohet ndaj Muçajt, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, me ç’rast në seancën e së mërkurës është bërë paraqitja e fjalës përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Sylë Hoxha, e mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ramë Gashi, kanë dorëzuar me shkrim fjalët e tyre përfundimtare si dhe janë deklaruar edhe në gjykatore.

Muçaj akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të ARH-së, ka lëshuar një vendim në kundërshtim me ligjin, sipas të cilit i është revokuar licenca për transport hekurudhor të mallrave për ndërmarrjen “Railtrans” L.L.C., me seli në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, ky veprim i kundërligjshëm i Muçajt, i kishte sjellë përfitime operatorit të vetëm publik dhe monopolist “Trainkos”, duke e dëmtuar kështu kompaninë “Railtrans”, me vlerë prej 1.2 milion euro.

Prokurori Sylë Hoxha, deklaroi se pas mbajtjes së disa shqyrtimeve gjyqësore në këtë çështje penale konsideron se në tërësi është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Sipas tij, gjatë shqyrtimeve gjyqësore me dëgjimin e dëshmitarëve, me leximin në shkresat e lëndës është vërtetuar teza e akuzës, duke kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor u dëgjua edhe i akuzuari, dha mbrojtjen, mirëpo mbrojtja e tij ishte edhe kundërthënëse me pohimet e tij gjatë procedurës hetimore, por edhe në kundërshtim me provat tjera, me deklaratat e dëshmitarëve, me provat që janë në shkresa të lëndës”, ka thënë prokurori.

Andaj, ai i ka propozuar trupit gjykues që mbrojtjen e të akuzuarit ta hudh si tentim të tij nga largimi i përgjegjësisë juridiko – penale, duke marr parasysh se sipas saj, është në kundërshtim me provat gjatë të shqyrtimit gjyqësor.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, “RailTrains”, Naim Spahu deklaroi se kërkesën pasurore- juridike e precizojnë në vlerë prej një milionë euro për periudhën kohore prej dy viteve, që palës së dëmtuar i është revokuar licenca.

“Kjo kërkesë është në emër të kompensimit të dëmit të shkaktuar në formë të fitimit të humbur, pasi që me rastin e revokimit të licencës ne vetëm se kemi lidhur para kontrata me klientë të ndryshëm në Kosovë”, tha ai duke shtuar se kërkojnë dënimin e të akuzuarit.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ramë Gashi ka kërkuar lirimin e klientit të tij nga akti akuzues.

Ai ka propozuar që vlerësimet e PSRK-së të paraqitura në fjalën përfundimtare, trupi gjykues t’i marr si të pabazuara, të pambështetura në prova konkrete.

“Me rastin e aplikimit, ligji ka paraparë rregulla strikte të cilat gjithmonë detyrimisht duhet të plotësohen e që janë: reputacioni i mirë i kompanisë e cila aplikon me strukturë udhëheqëse të kompanisë, përshtatshmëria financiare, kompetenca profesionale e sigurisë dhe sigurimi i kompanisë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, është fakt se fillimisht kësaj kompanie në bazë të aplikimit të saj, të dokumenteve që ka paraqitur i ishte pranuar aplikacioni te zyra ligjore dhe i akuzuari kishte nxjerrë një vendim që ishte në favor të kompanisë në fjalë.

Tutje, ka thënë se me rastin e marrjes së vendimit, në bazë të fakteve që “Rail Trans” ka paraqitur dhe njohurive që kishte zyra ligjore rreth kompanisë nuk kishte asnjë pengesë që zyra ligjore të merr vendimin që kishte marr.

Më pas, ai ka thënë se kishte arritur në bordin e AHR-së, një ankesë apo shkresë për informatë me përmbajtje se “RailTrans” ka fshehur fakte me rastin e aplikimit, që ishte përcjellë me prova konkrete.

Këto prova, sipas tij, kishin të bënin me reputacionin e keq financiar të kompanisë dhe reputacionin e keq sa i përket kompetencës profesionale dhe të sigurisë.

“Për me qenë më i saktë edhe pse është theksuar shumë herë, “Trainkos” kishte paraqitur fakte se “RailTrans” kishte një borxh në vlerë prej 50.000 euro, i cili më vonë është vërtetuar nga kontestet gjyqësore”, ka thënë ai.

Ai tha se edhe njëri nga zyrtarët kyç të kompanisë “RailTrans”, drejtori i operimeve, në historinë e mëparshme të punës, derisa kishte punuar në kompaninë “Trainkos” prej nga kishte shkuar në kompaninë “RailTrans”, kishte pasur shumë lëshime në punën e tij profesionale të sigurisë.

Kjo për shkak se siç ka thënë, derisa ishte në hekurudhat e Kosovës kishin ndodhur aksidente me lëndime trupore dhe dëme të konsideruar materiale.

E këto fakte, ai tha se me rastin e aplikimit nuk ishin treguar, ose sipas tij, “më mirë me thënë ishin fshehur”.

Ai ka thënë se i mbrojturi i tij, duke u ballafaquar me situatën ekzistuese pasi bordi kishte analizuar këto rrethana kishte marr vendim tjetër, i cili ishte në përputhje me gjendjen e vërtetuar faktike pas ardhjes së ankesës nga kompania “Trainkos”.

Sipas tij, kompania edhe në vazhdim nuk plotësonte kushte e domosdoshme ligjore për licencë për shkak se nuk plotësonte dy nga katër kushtet themelore që parashiheshin me ligj.

Ai ka thënë se dispozitivi i akuzës thotë se i akuzuari nuk ka përmbushur detyrat zyrtare dhe e gjitha që është thënë deri në këtë seancë, sipas tij, është dëshmia më e mirë se mos përmbushje është mosveprim.

“Në rastin konkret i mbrojturi im ka vepruar gjithnjë dhe për bindjen e mbrojtjes ka vepruar drejtë dhe me rastin e veprimeve të tij në asnjë moment nuk bëri asnjë shkelje të kontratës së punës në AHR, të ligjit në fuqi dhe akteve të brendshme e politikave të bordit”, tha ai.

Ai ka thënë se nuk ka të dëmtuar dhe kjo vërtetohet me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe se as prokurori i shtetit, e as pala e dëmtuar para gjykatës nuk ka dhënë ndonjë ekspertizë se ka dëm dhe cila është vlera e atij dëmi.

I akuzuari në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se aktakuza është rast studimi se si sistemi prokurorial nuk duhet të veprojë.

“E para pretendimi i prokurorisë se nga vendimi i AHR-së për revokim të licencës ka përfituar kompania publike, e cila sipas ligjit për ndërmarrje publike është në pronësi të shtetit të Kosovës dhe të akuzohet dikush që si rezultat i veprimit të tij ka përfituar shteti është e pabazuar, është edhe nosens”, tha ai.

Ai ka thënë se nga askush nuk kanë dëgjuar një pretendim konkret se cili nen ose paragraf i Ligjit të Hekurudhave është shkelur në momentin e revokimit të licencës.

“Nuk kemi një referim në bazë ligjore si është dashur të veprohet në momentin që jemi ballafaquar me provat e reja. Mirëpo, e njëjta është thirr në një udhëzim administrativ, i cili ka qenë në kundërshtim të plotë me ligjin bazik dhe si rezultat është ndryshuar”, tha ai.

E sipas tij, arsyeja e tretë është se pretendimet e prokurorisë që kanë qenë të pabazuara është tek kontesti financiar, te dëmi i pretenduar.

“Avokati e ceki aktvendimin, ku konstatohet se vendimi për revokim të licencës së kompanisë në fjalë nuk i ka shkaktuar asnjë dëm financiar”, tha ai.

Sipas tij, PSRK, ka punë ende në këtë çështje, por në rrafshin e kundërt.

E kjo, siç ka thënë, sepse në dhjetor të vitit 2017, me ekspertizë gjyqësore e aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike vërtetohet borxhi në vlerën mbi 55 mijë euro që kompania “RailTrans” e ka pasur në momentin e aplikimit për licencë .

Këtë, ai tha që kompania e ka fshehur në kundërshtim të plotë me nenin 92, paragrafi 1 të Ligjit të Hekurudhave. Sipas tij, kjo do të thotë që kjo kompani e ka fituar licencën përmes mashtrimit e lajthimit.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast pritet të bëhet më 15 maj, në orën 15:00.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në tetor të vitit 2015, pretendon se Muçaj, në cilësinë e drejtorit të Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të ARH-së, ka lëshuar një vendim në kundërshtim me ligjin.

Ky vendim i 31 marsit 2014,  ka të bëjë me revokimin e licencës për transport hekurudhor të mallrave për ndërmarrjen “Railtrans” L.L.C., me seli në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, ky veprim i kundërligjshëm i Muçajt, i kishte sjellë përfitime operatorit të vetëm publik dhe monopolist “Trainkos”, duke e dëmtuar kështu kompaninë “Railtrans”, me vlerë prej 1.2 milion euro. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi