Ish-mësimdhënësi kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit

Ish-mësimdhënësi kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka përfunduar gjykimi në rastin ku ish-mësimdhënësi Adnan Shuki, po kërkon nga Komuna e Prishtinës kompensimin e gjashtë pagave, që pretendon se i takojnë pas daljes së tij në pension.

Në fjalën përfundimtare, përfaqësuesja e paditësit, avokatja Lule Bilalli, ka kërkuar nga gjykata që ta detyrojë Komunën e Prishtinës, si palë e paditur, që në emër të tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare t’ia paguajë paditësit shumën prej 2967 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo ka thënë se e paditura nuk e ka respektuar Ligjin e Punës dhe Marrëveshjen Kolektive, e lidhur ndërmjet Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe sipas saj, dispozitat e Kontratës Kolektive janë detyruese për sektorin publik dhe shtetëror.

Ajo i ka propozuar gjykatës që padinë dhe kërkesën e saj ta aprovojë si të bazuar.

Gjithashtu, ajo i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës dhe atë për padi 104 euro, për seancë 135 euro dhe për taksë gjyqësore për 30 euro.

Ndërkaq, në fjalën përfundimtare, përfaqësuesja e të paditurës, Arta Mazreku, e ka kundërshtuar padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit dhe ka kërkuar nga gjykata që të njëjtën ta refuzojë si të pabazuar.

Ajo ka thënë se një kompensim i tillë nuk është i paraparë me Ligjin e Punës dhe se sipas saj, Komuna e Prishtinës nuk ka paraparë një linjë buxhetore për kompensimin e tillë.

Pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjygjëse, gjykatësja e rastit Hidajete Gashi, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje është i përfunduar dhe palë me kohë do të njoftohen me aktgjykimin.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 15 shkurt 2019, paditësi po kërkon nga e paditura tri paga jubilare dhe tri paga përcjellëse në shumë të përgjithshme prej 2967 euro.

Bazuar në padi, paditësi më 14 prill 2017, e kishte ndërprerë marrëdhënien e punës tek punëdhënësi i fundit për arsye të pensionimit.

Sipas padisë, pas pensionimit, paditësi kishte paraqitur kërkesë tek organi përkatës për kompensimin e pagave përcjellëse dhe jubilare, por kjo e fundit nuk ja kishte realizuar kërkesën.

Prandaj, paditësi Adnan Shuki me anën e kësaj padie po kërkon nga gjykata që ta detyroj të paditurën Komuna e Prishtinës – Drejtorinë për Arsim, t’ia paguajë në emër të tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare shumën prej 2967 euro dhe atë me kamat ligjore prej 8 %. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi