Dështon gjykimi për sulm ndaj menaxherit të lokalit në Graçanicë

Dështon gjykimi për sulm ndaj menaxherit të lokalit në Graçanicë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka dështuar të mbahet shqyrtimi i dytë ndaj të akuzuarit për sulm, Petrit Guci.

Shkak për mos mbajtjen e këtij gjykimi ka qenë mungesa e të akuzuarit Guci, i cili ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt nga seanca e kaluar e mbajtur më 19 prill të këtij viti.

Gjykatësi Isufi ka deklaruar se gjykata përmes shërbimit të saj, ka kontaktuar me të akuzuarin Guci, i cili e ka njoftuar gjykatën se ka probleme shëndetësore dhe në gjykatë do të paraqitet më 13 maj.

Në këtë shqyrtim nuk ka prezantuar as i dëmtuari Agim Jashari, për të cilin gjykatësi deklaroi se nuk posedojnë prova se ai është ftuar në mënyrë të rregullt.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykatësi mori vendim që kjo seancë të shtyhet në kohë të pacaktuar.

Në seancën fillestare të mbajtur më 19 prill, i akuzuari Guci është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të sulmit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 15 prill 2016, Petrit Guci akuzohet se më 25 qershor 2015, rreth orës 19:00, në picerinë “Friends” në Graçanicë, pasi hynë dhe ulet në tarracën e lokalit, i shoqëruar nga dy persona, derisa punëtori i lokalit duke dashur të merrte porosinë, i akuzuari e fyen fillimisht atë dhe derisa i dëmtuari Agim Jashari, duke vepruar sipas ankesës së punëtorit, afrohet për të pyetur të akuzuarin se pse kishte ofenduar punëtorin e lokalit.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari vazhdon edhe ndaj të njëjtit me fyerje dhe përdor forcën duke e sulmuar të dëmtuarin në atë mënyrë që me dy duar në gjoks e shtynë dhe e rrëzon në shkallë të tarracës.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Petrit Guci se ka kryer veprën penale “Sulm”, nga neni 187 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi