Rexhepi sjell librin e radhës: Palca thërret ashtin

Rexhepi sjell librin e radhës: Palca thërret ashtin

Gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur nga Prishtina, Shefqet Rexhepi, sapo e ka botuar librin poetik “Palca thërret ashtin”.

Ky libër ishte përgatitur për botim dy vite më parë, ndërsa këtyre ditëve u botua falë mbështetjes financiare të komunës së Prishtinës. Në recensionin me titull “Poezi e vlerave asociative dhe e kumteve të rëndësishme poetike”, shkrimtari dhe gazetari i mirënjohur (tashmë i ndjerë) Ragip Sylaj, kishte shkruar:

“Sado që poezia, veçmas ajo moderne, konsiderohet arti më personal, poezia që e kemi marrë në shqyrtim krijon një distancë të konsiderueshme ndërmjet subjektit lirik dhe objektit të poezisë. Kjo është një prej veçantive të kësaj poezie, për të mos thënë një tjetër përparësi e saj si vlerë letrare”, ka shkruar Sylaj.

Shefqet Rexhepi (1951), shkrimtar, gazetar, kritik letrar e teatror, deri më tani ka botuar këto vepra: “Si e mëson Luli historinë” (2005), “Princesha bëhet flutur” (2010), “Gjethe ëndërrimtare”(2010), “Trekëndëshi artistik” (shkrime për teatrin-2008) dhe “Frymë e etur kohe” (intervista me krijues dhe studiues, 2017).