Zyrtari i Komunës së Vitisë dhe dy biznesmenë lirohen nga akuzat

Zyrtari i Komunës së Vitisë dhe dy biznesmenë lirohen nga akuzat

Gjykata Themelore në Gjilan, të premten, i ka liruar nga akuza menaxherin për mbikëqyrje profesionale të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë, Florim Ramaj dhe drejtorin e konzorciumit “Kapitali X & Kapital”, në Prishtinë, Valdet Xoxa, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nga akuza është liruar edhe pronari i kompanisë “Ylli Dekor”, me seli në Viti, Sami Mjaku, i akuzuar për “mashtrim në detyrë”.

Aktgjykimin ndaj tyre e ka shpallur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Ademi, i cili ka thënë se gjykata nuk ka gjetur prova se ata i kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

Gjykatësi Ademi, ka deklaruar se gjykata ka marrë për bazë të gjitha provat në shkresat e lëndës, dëshmitë e dëshmitarëve, dëshmia e përfaqësuesit të Komunës së Vitisë, Ibrahim Ramadani, i cili ka deklaruar se Komuna nuk është dëmtuar, ekspertizat e dy ekspertëve, atij ndërtimor dhe financiar, ku në ekspertizën e këtij të fundit, thuhet se nuk ka pasur dëm të shkaktuar ndaj komunës.

Po ashtu, gjykatësi Ademi, ka thënë se si provë për aktgjykimin lirues është marrë edhe kontrata dy vjeçare e lidhur në mes të komunës dhe operatorit teknik.

Ndaj këtij aktgjykimi, gjykatësi Ademi ka thënë se palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 8 nëntor të vitit 2017, i akuzuari Florim Ramaj në cilësinë e menaxherit për mbikëqyrje profesionale të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë, për rregullimin e trotuareve dhe ndriçimin publik, në bashkëkryerje me të akuzuarin Valdet Xoxa, drejtor i konzorciumit “Kapitali X & Kapital”, në Prishtinë, më 8 qershor të vitit 2016, kishin keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, duke shkelur detyrat e tyre të domosdoshme dhe kontratën për mbikëqyrjen profesionale.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, edhe pse e kishin ditur se punët nuk ishin kryer, me qellim që të akuzuarit Sami Mjaku, t’i mundësojnë përfitim të kundërligjshëm, kishin firmosur raportet të cilat i kishte përpiluar i akuzuari Xoxa, me të cilat e kishin obliguar komunën që të kryente pagesën në shumë prej 63.350.00 euro, ndaj operatorit teknik “Ylli Dekor & Vizion BD”, ende pa i përfunduar punimet.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, i kishin mundësuar të akuzuarit Mjaku përfitim të kundërligjshëm në vlerë prej 5.011.23 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Vitisë

Ndërkaq, i akuzuari Sami Mjaku, në cilësinë e pronarit të kompanisë “Ylli Dekor”, me seli në Viti, kishte bërë prezantim të rremë duke përpiluar fatura fiktive, njërën në shumë prej 50.000.00 euro, njërën 53.328.00 euro, njërën në shumën prej 48.814.00 euro, njërën në shumën prej 6.526.00 euro, si dhe shumën prej 11.010.00.

Ndërsa, prej këtyre shumave, 66.350.00 euro i kishte marrë kinse i ka kryer punimet, mirëpo, i njëjti i kishte faturuar pa përfunduar punimet, duke i shkaktuar Komunës së Vitisë, dëm material në shumën prej 5,011.23 euro.

Prokuroria të akuzuarit Ramaj dhe Xoxa i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të akuzuarin Mjaku me veprën penale “mashtrim në detyrë”. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi