Shtyhet gjykimi për përvetësim të parave të bamirësisë

Shtyhet gjykimi për përvetësim të parave të bamirësisë

Në mungesë të prokurorit Rafet Halimi, ka dështuar gjykimi i paraparë të mbahej të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj drejtoreshës së organizatës bamirëse “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, Edita Dula, e cila po akuzohet për përvetësim në detyrë dhe keqpërdorim të besimit.

Dula po akuzohet se si drejtoreshë e kësaj organizate me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në vazhdimësi kishte përvetësuar paratë që i janë besuar, në shumë prej 1.488.90 euro.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica ka thënë se nga zyra e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, ishte njoftuar se prokurori Halimi ishte në procedurë të riemërimit të mandatit të tij.

Prezent në këtë seancë kanë qenë e akuzuara Dula, me mbrojtësin e tij, avokatin Asdren Hoxha, si dhe dëshmitaret e propozuar nga mbrojtja, Mirsade Hasani-Jashari, Fetije Hyseni dhe Sejrane Hasani.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 31 maj 2019, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës, së ngritur me 5 dhjetor 2017, Edita Dula, gjatë viteve 2016-2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në vazhdimësi ka përvetësuar paratë që i janë besuar, konkretisht, dyshohet se ka përvetësuar  1.488.90 euro, të kësaj organizate.

Sipas prokurorisë, nga shuma e përgjithshme, Dula, 1.088.90 i ka përvetësuar, duke i tërhequr nga llogaria bankare e OJQ-së, ndërsa shumën prej 400 eurosh, i ka përvetësuar nga shuma që kanë dhënë njerëzit e vullnetit të mirë, që i kishin dhënë për personat në nevojë, në emër të festës së “Fitër Bajramit”.

Përveç veprës penale të përvetësimit në detyrë, ajo akuzohet edhe për veprën penale të “keqpërdorimit të besimit”, pasi siç pretendon Prokuroria, Dula, gjatë viteve 2016-2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, ka vepruar në kundërshtim me statutin e datës 7 korrik 2017, në atë mënyrë që gjësendet që janë dhuruar për njerëzit në nevojë, të njëjtat i ka përvetësuar për vete.