E dashuruara

E dashuruara

Pol Elyar: E dashuruara

Ajo është në këmbë pranë qepallave

Flokët i janë mpleksur me të miat

Ajo ka formën e duarve të mia

Ngjyrën e syve të mi

Ajo zhytet te hija ime

Si një yll në qiell

 

Ajo i ka sytë gjithmonë të çelur

Dhe nuk më lë të fle

Ëndrrat me sy hapur

Avullojnë diellin

Më bëjnë të qesh, të qaj e të qesh

Të flas pa pasur ç’të them

 

TA THASHË

Ta thashë për retë

Për pemët, detin

Për çdo valë

Për zogjtë në degë

Për guriçkat që bëjnë zhurmë

Për duart e dashura

Për syrin që përshkruan fytyrën

Për syrin që shndërrohet në peizazh

Për gjumin që i jep ngjyrën e qiellit

Për natën blu

Për rrjetin e rrugëve

Për dritaren e hapur

Për ballin e zbuluar

Ta thashë për mendimet e tua

Për fjalët e tua

Çdo përkëdhelje çdo besim

Mbijeton

 

TI DHE VETËM TI

 

Dëgjoj të qeshurën tënde të fiksuar te bari.

Ti je ajo që më çon gjetiu.

Ti dhe vetëm ti!

 

Dhe në lartësinë e rreziqeve të vdekjes,

Mbi tokat e shkatërruara nga shiu i luginave,

Nën dritën e rëndë,

Nën qiellin e tokës,

Ti lind rrënimin.

 

Zogjtë nuk janë më një strehë e mjaftueshme,

As përtacia e as lodhja

Kujtoj pyjet, përrenjtë e brishtë.

 

Në mëngjesin e kapriçove,

Në mëngjesin e përkëdheljeve të paharruara,

Në mëngjesin e madh të mungesës,

Vjen rrënimi.

 

Barkat që shihnin sytë e tu,

Humbin rrugën në dantellat e zhdukjeve.

 

Humnera u zbulua,

Iu përket të tjerëve ta mbulojnë.

Hijet që ti krijove,

Nuk kanë të drejtën e natës.

 

AJO NUK DI TË NGREJË KURTHE

 

Ajo nuk di të ngrejë kurthe

Ajo i ka sytë te bukuria e saj

Aq e thjeshtë

Aq thjeshtësisht joshëse

 

Sytë e lidhin me hekura

Dhe ajo mbështetet tek unë

Ndërkohë që hedh mbi vete

Rrjetën fluturuese të përkëdheljeve

(Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa. Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)