Inaugurimi i presidenti të ri, të dielën në mesditë

Inaugurimi i presidenti të ri, të dielën në mesditë

Presidenti i sapozgjedhur Stevo Pendarovski pritet të dielën të inaugurohet, të mbajë fjalimin e tij para deputetëve në Kuvend dhe të vendoset në vilën presidenciale në Vodno ku, siç mësojmë jozyrtarisht, do të pritet me ceremoni solemne.

Kuvendi akoma nuk e ka bërë njoftimin zyrtar të seancës por nga atje sqarojnë se seanca pritet të mbahet të dielën në mesditë. Zyrtarisht, do të caktohet kur Pendarovski të marrë certifikatën nga KSHZ-ja si fitues i zgjedhjeve presidenciale. Komisioni i zgjedhjeve një ditë më parë është përballur me pakënaqësi të brendshme rreth certifikatës e cila fillimisht është shtypur vetëm në një gjuhë. Pas mbylljes së procedurës së ankesave nga pjesëmarrësit në zgjedhje, KSHZ-ja do të përmbyllë procesin.

Nga KSHZ-ja njoftojnë se certifikata është në përpunim e sipër nga shërbimet e këtij institucioni. Ajo do të jetë në dy gjuhë, në shqip dhe në maqedonisht. Dhe në rast se nuk ka ankesa të tjera ose ankimime në gjykatën administrative sa u takon vendimeve të KSHZ-së mbi ankesat për procesin zgjedhor, certifikata do të dorëzohet ditën e shtunë.

Në inaugurimin dhe fjalimin e presidentit të ri nuk dihet a do të marrë pjesë kryeministri Zoran Zaev. Nga kabineti i tij gjatë ditës njoftuan se Zaev, për arsye private, do të shfrytëzojë ditë pushimi nga data 10 deri në datën 14 maj. Pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet nuk e konfirmojnë as nga Qeveria. Ekzekutivi, ndërkohë, akoma nuk ka vendosur se kush do ta zëvendësojë Pendarovskin si koordinator nacional për NATO. Nga atje njoftojnë se presin përfundimin zyrtar të procesit zgjedhor që në seancë qeveritare të diskutohen emrat e mundshëm.