Të vërtetat e Bamir Topit në librin me kujtime

Të vërtetat e Bamir Topit në librin me kujtime

Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, prezantoi librin me kujtime “Nocturn – kur arsyeja errësohet nga pushteti”.

Ai është shkruar në formën e intervistës dhe sjell përjetimet e ish-kreut të shtetit në lidhje me disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar. Vetë autori, e quajti shkrimin një sfidë më vete dhe një detyrë për të treguar të vërtetat vetjake.

Disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar, nga ndodhitë e vitit 1997 deri te pavarësia e Kosovës e më tej, janë përmbledhur në librin intervistë e me rrëfime nga jeta dhe përvoja si politikan, i ish-presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Me titullin “Nocturn – kur arsyeja errësohet nga pushteti”, Bamir Topi tregon në vetën e parë dhe në cilësinë e protagonistit, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit dhe shkrimtarit, Bashkim Hoxha.

“Kam tentuar të shkruaj aq sa për të demonstruar të vërtetat dhe e vërteta për ngjarje të mëdha që më kanë shoqëruar dhe për më tepër kur këto të vërteta kanë hyrë nëpër labirinthet e një beteje e cila shpesh ose deformohet, ose merr një karakter tjetër dhe historia tenton të shkruhet nga sundimtarët e radhës”, ka thënë Topi.

Ndërsa botuesi, Henri Çili, synon që me librin, “Nocturn – kur arsyeja errësohet nga pushteti” të dokumentojë jetën, idetë dhe përvojat e njerëzve të shquar.

Bamir Topi shërbeu si President i Republikës nga viti 2007 e deri në vitin 2012, kur dhe filloi ta shkruajë këtë libër.