Obiliqi me padi ndaj KEK-ut

Obiliqi me padi ndaj KEK-ut

Kuvendi Komunal i Obiliqit të martën do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, prej ku pritet të dalë me rekomandime që të pastaj të ngritë padi kundër KEK-ut.

Por para kësaj seance, kryetari i Obiliqit ka mbledhur banorët e Hades dhe Shipitullës për të marrë edhe rekomandimet e tyre lidhur me problemet me KEK-un, që siç tha Xhafer Gashi, nuk po i respekton marrëveshjet e përbashkëta dhe nuk po e implementon Ligjin për Obiliqin dhe çështjen e punësimit.

Të shtunën, në takimin që kryetari i Obiliqit pati me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade, Gashi tha se KEK-u po bënë shkelje të mëdha në çështjen e punësimit.  

“Të martën planifikojmë të bëjmë një seancë të jashtëzakonshme, me qëllim që me nxjerr rekomandime për me padit KEK-un, për mos implementimin e ligjit për Obiliqin, dhe së fundi për shkeljet e mëdha që po i bën rreth çështjes së punësimit... Qëllimi ynë është me ngritë shqetësimin e qytetarëve bashkërisht me ju, edhe njëherë nga fillimi për të vetmen arsye, jo me ja mohu të drejtën dikujt tjetër, por me u implementu ajo që është paraparë dhe ajo që është thënë”, tha ai. 

Ai tha se do të fillon si institucion komunal, me padi, dhe se planifikojnë të bisedojmë edhe me Avokatin e Popullit.

Madje, Gashi bëri të ditur se do të u shkruajnë edhe ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.

“Do u shkruajmë edhe ambasadorëve të QUINT-it ta kuptojnë edhe ata çfarë po ndodh në këtë zonë. Mos të ketë keqkuptime se ne po duam ta bëjmë sepse po mundemi ta bëjmë, thjesht ne po duam të bëjmë sepse kemi nevojë me i  mbrojt të drejtat tona, kemi nevojë me krijuar mundësi dhe favore për qytetarët tonë, këtë na e lejon edhe ligji për Obiliqin. Të mërkurën do të dalim me një konkluzion nga Kuvendi, përveç këto që i përmenda, do të shohim cila do të jetë dita e fundit që nëse KEK-u nuk e realizon premtimet në këtë rast, bashkë me ministrinë e qeverinë, ne do t’i përdorim edhe situata të tjera si protestat”, tha ai.

Gashi tha se padia do të bëhet për mos respektim të marrëveshjeve të përbashkëta.

Sipas tij, ka raste kur aplikuesit nuk janë ftuar as në intervistë. Ai u bëri thirrje banorëve që të bëjnë ankesa brenda afateve ligjore, sa i përket çështjes së punësimit.

Sali Grajçevci që përfaqësonte banorët e Hades, tha se janë të gatshëm për çfarëdo veprimi, edhe për protesta.

“Nëse ka nevojë bashkërisht, nuk po lëshojmë pe, protestë, nëse ka nevojë me i ndal me shirita, me çka ekziston që ata njerëz me i verifikuar kush i pruni në komunën tonë mos me mujt me depërtua, marre prej familjeve tona. Do t’i verifikojmë edhe një njëherë si komision, si kuvend, një nga një, si erdhi deri të kjo punë, ku dul ai më i zoti se djali i tij. Ka njeri që më ka thënë kam shkuar në test, dy pyetje më rëndësi: me çka furnizohet KEK-u, ata poena nuk janë, ja ka qit 5 pikë”, tha ai.

Ndërsa Shaban Kransiqi, përfaqësues i banorëve të fshatit Shipitullë, tha se nuk po implementohen marrëveshjet e arritura, andaj, sipas tij, nuk duhet të bëhen lëshime më.     

“Jo vetëm për punësim, janë kërkesa të tjera që mos t’u ndodh edhe juve se e keni në prag, ua bëjnë sikur ne, ne për hirë të Ramush Haradinajt kemi lëshuar pe, por ju për hirë të askujt mos lëshoni sepse digjeni sikur ne”, tha ai.

Më 12 shkurt është nxjerr vendim nga qeveria për formimin  e komisionit të përbashkët, KEK-u, Komuna e Obiliqit dhe përfaqësues të fshatrave, ku kryetari i Obiliqit tha se komisioni e ka kryer punën duke nxjerr vendimin që të shpallet konkursi për pranimin e 100 punëtorëve nga Shipitulla dhe Hade, por që i njëjti nuk po zbatohet, raporton KosovaPress.