Së shpejti do të fillojë digjitalizimi i shërbimeve në QKMF

Së shpejti do të fillojë digjitalizimi i shërbimeve në QKMF

Shumë punë e projekte kapitale janë duke u realizuar në terren në kuadër të investimeve komunale dhe bashkëpunimeve me institucionet qendrore.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e fillimjavës kryesuar nga Kryetari i Komunës Besim Ilazi dhe Nënkryetari Ylber Bajra. Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri të ditur se janë pranuar 36 kompjuterë në Qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik donacion nga Ministria e Shëndetësisë, ku së shpejti pritet të bëhet instalimi i sistemit të ri informativ shëndetësor, ku njëkohësisht pritet të trajnohet edhe stafi mjekësorë për implementimin e këtij projekti qeveritar, i cili sipas drejtorisë është i një rëndësie të veçantë, që synon digjitalizimin e shërbimeve në këtë qendër mjekësore.

Drejtoresha Diana Reka poashtu njoftoi se vizitat shtëpiake për nëna dhe fëmijë nga mosha 0-3 vjeç, janë duke u realizuar çdo ditë nga ekipet mjekësore, ndërsa vlen të ceket se është vlerësuar lartë performanca e komunës sonë në këtë program, nga ana e UNICEF-it, ku Kaçaniku ka primatin në realizimin e këtij programi në Kosovë.

Poashtu u bë e ditur se Kompania “ Bechtel Enka” me rastin e muajit të Ramazanit, ka ndihmuar disa familje me pako ushqimore.

Ndërkohë, Drejtori i Shërbimeve Publike Ramadush Osmani, tha se pas nënshkrimit të memorandumit me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ( MZHR), janë nisur edhe procedurat e nevojshme për fillimin e projektit “ Ndërtimi i urës mbi lumin Nerodime/Kaçanik i Vjetër dhe rregullimi i rrugëve në lagjen Prushaj- Lamaj-Soponicë” projekte të financuara nga MZHR dhe Komuna e Kaçanikut.

Drejtoria e Shërbimeve Publike poashtu njoftoi se është bërë shpërndarja e shportave për mbeturina për disa ekonomi familjare, në kuadër të implementimit të Planit Lokal për Menaxhimin e Mbeturinave. Në takim u theksuan edhe përgatitjet e fundit që janë duke u bërë për shënimin e 14 majit- 20 vjetorit të rënies së Heroit Qamil Ilazi- Komandant Bardhi me bashkëluftëtarë.