"Çmimet Bafta 2019","Killing Eve" shpallet seriali dramatik më i mirë

"Çmimet Bafta 2019","Killing Eve" shpallet seriali dramatik më i mirë

Produksionet më të mira televizive në Britaninë e Madhe u vlerësuan të dielën me çmimet prestigjioze Bafta. Seriali triller "Vrasja e Evës" triumfoi ndaj konkurrentëve duke fituar në tri kategori të ndryshme, përfshirë atë të serialit më të mirë dramatik, ndjekur nga miniseriali gjysmautobiografik "Petrik Melroz" i cili ndau dy çmime të tjera.

Akademia britanike e filmit kurorëzoi natën e së dielës shfaqjet dhe performancat më të mira televizive të vitit 2018.

Eventi prestigjioz i prodhimeve më cilësore televizive angleze u mbajt në Sallën e Festivalit Mbretëror të Londrës.

Seriali triller "Vrasja e Evës" rrëmbeu tre Çmime Bafta në kategoritë seriali më i mirë dramatik i vitit, aktorja më e mirë në rolin kryesor dhe dytësor, që u shpallën përkatësisht Xhodi Komër dhe Fiona Shou.

Fituesi i dytë më i madh i natës ishte telefilmi i bazuar në novelën gjysmautobiografike, "Petrik Melroz", i cili triumfoi në dy kategoritë miniseriali i vitit dhe aktori më i mirë, çmim i cili për herë të parë i shkoi Benedikt Kambërbeçit.

Performanca më e mirë komike për kategorinë e grave i shkoi Xhesika Hejnisit me prodhimin "Dhe kështu u bë", ndërsa Stiv Pembërtonit iu akordua Bafta për shfaqjen "Brenda numrit 9".

Programi më zbavitës i vitit u shpall "Talentet britanike", kronika më e mirë në një edicion lajmesh shkoi për Kanalin 4 dhe skandalin e Facebook-ut, çmimi për serialin më të mirë faktik iu akordua kronistit britanik Lui Thuro, ndërsa në kategorinë e sportit triumfoi transmetimi i finales së botërorit 2018 mes Anglisë dhe Suedisë.

Ceremonisë së prodhimeve televizive i paraprinë muajin e kaluar Çmimet Bafta për skenaristët dhe talentet e tjera të fshehura në industrinë e filmit, ndërsa në muajin janar u shpërndanë çmimet e ekranit të madh, ku "Roma" me regji të Alfonso Kuaron u shpall filmi më i mirë i vitit 2018.