​PD: Sot marshim paqësor

​PD: Sot marshim paqësor

Partia Demokratike, përmes Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi ka reaguar pak para nisjes së protestës së pestë kombëtare në Tiranë, duke hedhur poshtë pretendimet e Ministrisë së Brendshme, se bombat molotov janë prodhuar dhe shpërndarë nga organizuesit e protestës së 11 majit, e ky skenar parashikohet të ndodhë edhe këtë të hënë.

“Deklaratat e Ministrisë së Brendshme se Partia Demokratike ka prodhuar dhe ka shpërndarë bomba molotov për protestën e sotme janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët”, është shprehur Gazmend Bardhi.

Më tej ai hedh poshtë çdo pretendim për akte dhune në tubimin e kësaj të hëne, duke theksuar se “Partia Demokratike ka thirrur sot një marshim proteste të gjithë qytetarëve kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa”.

Sipas Bardhit, mesazhi i shkruar në banesën e ambasadorit të OSBE-së është një përpjekje propagandistike e qeverisë për ta kundërvënë Partinë Demokratike me partnerët.

Deklarata e plotë e Sekretarit te Pergjithshem te PD, Gazment BardhiPartia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Minstrisë së Brendshme si një deklaratë që nxit dhunë dhe nuk i shërben stabilitetit të vendit.

Qeveria që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike.

Deklaratat e Ministrisë së Brendshme se Partia Demokratike ka prodhuar dhe ka shpërndarë bomba molotov për protestën e sotme janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët.

Partia Demokratike ka thirrur sot një marshim proteste të gjithë qytetarëve kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa.

I sigurojmë qytetarët se Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për protestë paqësore. Partia Demokratike është parti e lirisë dhe e vlerave europiane dhe euroatlantike, ajo ka refuzuar dhe refuzon dhunën dhe bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet. Është e dënueshme çdo përpjekje propagandistike e qeverisë për ta kundërvënë Partinë Demokratike me partnerët tanë, si në rastin e mbishkrimeve në banesën e ambasadorit të OSBE-së. Ne i kërkojmë prokurorisë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ata paërpara përgjegjësisë.

Dhuna është mjeti kryesor me të cilin Rama mban pushtetin, duke goditur qytetarët e pambrojtur. Është Edi Rama ai që nxorri me gaz lotsjellës nga shtëpitë banorët tek bregu i Lumit, që kërcënon banorët e Astirt me shkatërrimin e shtëpive, që ka futur në burgje mbi 10 mijë qytetarë që nuk paguajnë dot energjinë elektrike, që u ka hequr bukën e gojës mijëra të tjerëve. Ky është zemërimi në rritje i mijëra e mijëra qytetarëve të tjerë, të poshtëruar e të dhunuar nga regjimi I Edi Ranës.

Partia Demokratike është e vendosur të mos bëjë asnjë hap prapa për të drejtën themelore politike të njerëzve të lirë, votën e lirë, të pandikuar nga krimi dhe korrupsioni, njësoj siç ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani, Francë, Gjermani, Itali dhe kudo.

Protestat tona i shërbejnë vetëm këtij qëllimi. Ne jemi distancuar nga dhuna dhe e kemi dënuar atë që gjatë protestës së 11 Majit. Mediat kanë transmetuar live thirrjen e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për protestuesit, që të mos cënojnë asnjë polic në krye të detyrës.

Skenarët kriminlaë të Edi Ramës, pengimi I së drejtës për të protestuar për opozitës dhuna dhe terrori mbi protestuesit nuk kanë për të na ndalur. Beteja jonë është për Shqipërinë si gjithë Europa, prandaj ne kemi mbështetjen e shumicës së shqiptarëve të ndershëm./Top Channel/


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare