​​OSBE: Po e dëmtoni prioritetet e Shqipërisë

​​OSBE: Po e dëmtoni prioritetet e Shqipërisë

Kryetari në detyrë i OSBE-së dhe ministri sllovak i Punëve të Jashtme, Miroslav Lajçak, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe sekretari i përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella, dënuan sot fuqishëm përdorimin e dhunës gjatë protestuesve këtë fundjavë në Tiranë, si dhe kërcënimet dhe përpjekjet për intimidim të drejtuara ndaj kreut të pranisë së OSBE-së në Shqipëri dhe ndaj organizatës

Ata i bënë gjithashtu thirrje forcave të rendit të tregojnë përmbajtje.

Lajçak, Tsereteli dhe Greminger theksuan se “e drejta për grumbullim dhe protestim paqësor është një parakusht për shtetin demokratik. Por institucione të forta të brendshme, përfshirë një parlament efektiv, janë gurë themeltarë të demokracisë dhe thelbësorë për stabilitetin politik dhe shtetin e së drejtës. Dhuna dhe kërcënimi ndaj zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare janë të papranueshme”.

Ata falënderuan autoritetet shqiptare për mbrojtjen e rezidencës së kreut të prezencës së OSBE-së dhe inkurajuan të gjitha palët të tregohen të përmbajtura gjatë protestës së sotme.

“Protestat e dhunshme nuk janë zëvendësuese të angazhimeve demokratike politike. Ato presin çdo mundësi për dialog dhe çdo mundësi për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Ne i bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë dhe qytetarëve të Shqipërisë që të tregojnë përgjegjshmëri, të demonstrojnë paqësisht, si dhe të veprojnë me përmbajtje. OSBE-ja do të vazhdojë të mbështesë procesin demokratik në Shqipëri”, shprehen drejtuesit e OSBE-së.

“Një zgjatje e krizës do të dëmtojë në mënyrë të pashmangshme prioritetet strategjike të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ka ardhur koha për të ngritur një platformë të brendshme për dialog që përfshin të gjitha palët e interesuara, përfshirë partitë, shoqërinë civile dhe akademinë, për të tejkaluar diferencat dhe për të punuar së bashku në interesin më të mirë të Shqipërisë”, përfundojnë ata./ATSH/ 


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare