Gjen prindërit 33 vite pasi e braktisën në tualetin e aeroportit

Gjen prindërit 33 vite pasi e braktisën në tualetin e aeroportit

Një burrë që u braktis kur ishte foshnje në aeroportin e Gatwick më shumë se 30 vite më parë ka gjetur prindërit e tij.

Steve Hydes u braktis në terminalin jugor të aeroportit në vitin 1986 kur ishte vetëm 10 ditësh dhe u gjet i mbështjellë me një batanije në tualetin e grave.

Hydes kaloi 15 vite duke u përpjekur të gjente familjen dhe vetëm tani, pasi gjenealogët testuan mostrat e ADN-së, zbuloi se nëna e tij ka vdekur ndërsa babai është ende gjallë.

Pasi kontaktoi me babain, Hydes zbuloi se kisha motra dhe vëllezër që nuk e dinte se ekzistonin.

"Fatkeqësisht nëna ime ka vdekur dhe nuk jam në gjendje të zbuloj se çfarë ka ndodhur dhe pse", shkroi ai në një postim në Facebook, ndërsa zbuloi lajmin e gjetjes së familjes së tij. "Megjithatë gjeta babain dhe motrat e vëllezërit e mi që nuk e dinin për ekzistencën time".

Pasi u braktis, 33-vjeçari u vendos në një jetimore dhe më pas u birësua nga një familje, ku u rrit me tre motra.