​​Lleshaj: Qëllimi i opozitës, zhbërja e reformës në drejtësi

​​Lleshaj: Qëllimi i opozitës, zhbërja e reformës në drejtësi

Qëllimi i vërtetë i opozitë nuk është bllokimi i zgjedhjeve, as marrja e pushtetit me dhunë apo pa dhunë, tha ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një intervistë në Top Channel.

 

“Premtimi i opozitës për mospjesëmarrje është një ndër premtimet e tyre. Qëllimi i vërtetë i opozitë nuk është bllokimi i zgjedhjeve, as marrja e pushtetit me dhunë apo pa dhunë. Por ka diçka që nuk e thonë: ata duan të rrëzojnë institucionet e shtetit shqiptar, pas bërjes së Reformës në Drejtësi”, tha ministri Lleshaj.

“Pse u kujtuan këta në vitin 2019 për të bërë namin – pyeti ministri Lleshaj, – ndërkohë që zgjedhjet u bënë në vitin 2017”.

“Kujtesa e vonuar është ajo që duhet marrë në konsideratë. Përse pas ngritjes së KLGJ-së dhe KLP-së? Zgjedhjet janë një koperturë për arritjen e qëllimit të vërtetë të tyre”, tha ministri Lleshaj.

Retorika e opozitës është e mbushur me kontradikta pa fund, tha ministri, i cili vuri në dyshim forcën e saj për të bërë keq. Përse, pyeti sërish ministri, këtë forcë kaq “të madhe” nuk e përdorin për mirë? Sipas tij, Policia e Shtetit ka të gjitha mundësitë për të ofruar zhvillimin e zgjedhjeve, sipas ligjit, teksa të drejtën e qytetarëve për të votuar e garanton Kushtetuta.