Kosova është vonuar me planin për riintegrimin e personave të kthyer

Kosova është vonuar me planin për riintegrimin e personave të kthyer

Kosova është vonuar shumë në aprovimin e planit kombëtar për riintegrimin e personave të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri. Ekspertja për siguri, Besa Kabashi Ramaj tha për Radio Kosovën se vendi ynë do të duhej që tre vjet më parë të kishte të gatshëm planin për riintegrim.

Në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës nuk japin detaje se çfarë do të ndodhë me riintegrimin dhe rehabilitimin e këtyre personave, në veçanti për përfshirjen e fëmijëve në procesin mësimor.

Institucionet kosovare janë shumë vonë me përfundimin e një plani kombëtar për riintegrimin e personave të kthyer nga zonat e konfiktit në Siri. Madje, ekspertja për siguri, Besa Kabashi Ramaj Thotë për Radio Kosovën se ky plan do të duhej të bëhej tre vjet më herët. Sipas saj, pa një plan të tillë mund të cënohet edhe siguria publike.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë jashtëzakonisht vonë me finalizimin dhe aprovimin e një plani kombëtar për riintegrim pa të cilin asgjë nuk mund të ndodhë në një mënyrë të harmonizuar dhe pa të cilin, mendoj se ne do të dështojmë edhe në trajtimin e personave të kthyer nga Siria por edhe për të mbrojtur sigurinë publike të qytetarëve tanë”, tha ajo.

Se institucionet e vendit janë shumë vonë dhe ende pa koordinim për riintegrimin dhe rehabilitimin e personave të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri, flet edhe fakti që Ministria e Arsimit ende nuk ka një plan për përfshirjen në procesin mësimor të fëmijëve të kthyer. Kështu i tha Radio Kosovës, zëdhënësi në Ministrinë e Arsimit, Valmir Gashi në një bisedë telefonike.

Po ashtu, në qeverinë e vendit nuk kanë bërë të ditur se cili do të jetë plani për riintegrimin e personave të kthyer nga Siria, në veçanti për përfshirjen e fëmijëve në procesin mësimor. Koordinatori nacional, Fatos Makolli tha për Radio Kosovën se janë duke punuar në këtë drejtim, por që sipas tij, tani për tani,  nuk mund të flasin për detaje.

”E kanë planin ata, por tash për tash nuk po e shohin të përshtatshme për të komunikuar. Pak është edhe për shkak të publikimit të emrave të fëmijëve në media. Është pak problematike”, ka thënë ai.

Ndërkaq, në një përgjigjeje elektronike, Zyra e Avokatit të Popullit thotë se institucionet përkatëse shtetërore janë duke punuar në realizimin e të drejtave të këtyre personave si dhe ka nisur procesi i rehabilitimit për fëmijët e kthyer nga zonat e konfliktit në Siri, si një nga fazat që ata do ta kalojnë para se të përfshihen  dhe të vijojnë mësimin në shkollë.

Gjithashtu, përfshirja e fëmijëve në shkolla është pjesë e fazës së riintegrimit, e cila do të zhvillohet në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe do të marrë parasysh nevojat individuale të fëmijëve për mësim.

E drejta për arsimim është një prej të drejtave themelore që u njihet fëmijëve,  përfshirë këtu edhe fëmijët e kthyer nga zonat e konfliktit në Siri, e garantuar përveç tjerash edhe me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, e cila duhet të zbatohet nga institucionet shtetërore në Kosovë, thuhet më tej në përgjigjen elektronike nga Zyra e Avokatit të Popullit.


 

Autor: Elmina Osmani, Radio Kosova


MË SHUME NGA Aktuale