Në Cyrih inaugurohet Oda e Tregtisë Kosovë - Zvicër

Në Cyrih inaugurohet Oda e Tregtisë Kosovë - Zvicër

Në Cyrih të Zvicrës, zhvillohet sot ceremonia zyrtare e inaugurimit të Odës së Tregtisë Kosovë – Zvicër. Inaugurimi i saj do të bëhet në orën 16 00, në një solemnitet ku do të marrin pjesë shumë personalitete nga institucionet e shtetit helvetik dhe të Republikës së Kosovës.

Në postimin e afaristit dhe deputetit të njohur zviceran Alfred Heer, i cili bashkë me afaristin Musa Komani dhe zyrtarin e ambasadës së Kosovës në Bern, z. Islam Spahija janë inicuesit e themelimit të saj, bëhet e ditur se në ceremoni do të jetë i pranishëm edhe Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, Ministri i Ekonomisë i Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, Ministri i Zhvillimit Ekonomik  i Republikës së Kosovës, Valdrin Lluka, avokati dhe deputeti i njohur zviceran, Hans Egloff, etj.

Hapja e Odës së Tregtisë Kosovë – Zvicër  synon të lidhë interesat ekonomike të Republikës së Kosovës, të Zvicrës dhe Prinicipatës së Lihtenshtajnit. Ky institucion do të përkujdeset dhe mbështet lidhjet tregtare dhe ekonomike midis Republikës së Kosovës, Zvicrës dhe Principatës së Lihtenshtajnit, si dhe do të përkrahë interesat biznesore të anëtarëve të saj.

“Oda e Tregtisë Kosovë-Zvicër modelon një rrjet gjithëpërfshirës të bizneseve dhe shoqatave dhe mbështet interesat ekonomike të anëtarëve të saj”, thuhet mes tjerash në programin e këtij institucioni.

Anëtarë të saj mund të bëhen shoqata, fondacione, institucione dhe mekanizma publikë, si dhe individë të caktuar.

 

 

Autor: Fadil Gashi