Rebelët Huthi tërhiqen nga portet e Jemenit

Rebelët Huthi tërhiqen nga portet e Jemenit

Dubaish tha se kreu i Komitetit të Koordinimit të Rizhvendosjes së OKB-së, ka dërguar një deklaratë në qeverinë e Jemenit, ku u konfirmua se rebelët Huthi u tërhoqën nga portet Al-Hudaydah, Salif dhe Ras Isa.

Zëdhënësi i forcave të përbashkëta pro-qeveritare të Jemenit, Waddah Dubaish, tha se rebelët Huthi janë tërhequr nga tre portet e Detit të Kuq të vendit.

Dubaish, i cili konfirmoi informacionin për AA, tha se kjo përfshinte edhe portin strategjik Al-Hudaydah.

Procesi i tërheqjes filloi më 11 maj nën vëzhgimin e Kombeve të Bashkuara.

Porti Al-Hudaydah është me rëndësi kyçe për Jemenin, pasi 90 për qind e produkteve ushqimore dhe 80 për qind e ndihmave humanitare hyjnë në vend përmes saj.

- Marrëveshja e Stokholmit

Gjatë negociatave të zhvilluara më 6-13 dhjetor të vitit të kaluar në Stokholm të Suedisë, partitë ndërluftuese të Jemenit arritën një marrëveshje lidhur me provincën Taiz, portet, armëpushimin në Al-Hudaydah dhe një këmbim të burgosurish.

Jemeni ka qenë i përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa. Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një fushatë shkatërruese ajrore që synonte rikthimin e territoreve të pushtuara nga Huthitë.

Sipas OKB-së, që atëherë dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë civilët, besohet se janë vrarë në konflikt, ndërsa 14 milionë të tjerë janë në rrezik të urisë.

Sipas shifrave të OKB-së, Jemeni po përballet me një nga krizat më të këqija humanitare në botë, me mbi 10 milionë njerëz që janë në prag të urisë. Mbi 22 milionë njerëz në Jemen janë të dëshpëruar për ndihmën dhe mbrojtjen humanitare.