Tre të vdekur në një aksident në Kavajë

Tre të vdekur në një aksident në Kavajë

Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmë (14 maj) në rrugën Kavajë-Rrogozhinë, ku një automjet mori përpara nënën me dy vajzat e saj dhe më pas makina është përplasur sërish me një pikë karburanti.

Nga aksidenti i rëndë humbi jetën në vend Lumturie Demrozi, 48 vjeçe, nëna e dy vajzave dhe Gentian Belba, 28 vjeç njëri prej tre të rinjve që ndodheshin në makinë. 

"Rreth orës 22:30 në dalje të qytetit të Kavajës, drejtuesi i mjetit tip Benz (marrë me qira), me targë AA 615 VO, shtetasi V.C, 24 vjeç për të shmangur disa këmbësorë që tentonin  të kalonin  nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër ka humbur kontrollin mbi mjet, edhe si pasojë edhe e lagështirës  mjeti është përplasur me tabelën e një karburanti", informoi policia e shtetit. 

Vilson Cara që ishte drejtuesi i mjetit mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në spital ditën që do të mbushte 24 vjeç.

Ndërsa vajza 21-vjeçare e viktimës Lumturie Demrozi mori plagë të rënda dhe u dërgua në spitalin e Durrësit, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në makinë mësohet se ndodhej edhe një person i tretë i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime.

Tre të rinjtë kishin marrë më qira këtë makinë dhe do të udhëtonin drejt kryeqytetit për të festuar  në lokalet e natës.

Por u përfshinë në aksident sapo dolën nga Kavaja.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë  të rrethanave të ngjarjes./oranews/