Veseli: Nuk mund të heshten krimet që kanë ndodhur ndaj qytetarëve tanë

Veseli: Nuk mund të heshten krimet që kanë ndodhur ndaj qytetarëve tanë

Shteti i Kosovës ka kapacitete dhe do t`i arrestojë kriminelët e luftës kudo që janë, nuk do të ketë tolerim ndaj tyre.

Kështu ka deklaruar sot kryeparlamentari Kadri Veseli, gjatë vizitës qe i bëri lokacionit ku do të ndërtohet Memoriali i Dëbimit te Stacioni i trenit në Prishtinë.

Aty, Veseli ftoi qytetarët që të besojnë në kapacitetet e institucioneve të vendit, se nuk do të mbetet asnjë kriminel i luftës i lirë.

"Do të ndërtohet Tribunali ndërkombëtar dhe do të ndodh memorizimi i këtyre krimeve që Serbia ka bërë ndaj qytetarëve tanë. Nëse flasim për kriminelët që kanë dhunuar e kanë vrarë, domosdoshmërisht se do të përkrahet nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk ka mundësi që të heshtet një krim që ka ndodhur ndaj qytetarëve tanë. Sa i përket një dileme, nuk është vonë. Prej dhjetorit 2018, janë dërguar të gjitha dosjet nga UNMIK-u dhe EULEX-i dhe do të procedohen tutje. Kriminelët s'kemi me i lënë me flejt shlirë. Në gjumë kena me i marrë, po ua jap fjalën", përsëriti Veseli.  

Ndërsa qytetari Ali Kadrolli, kujtoi ditën kur ai u dëbua nga Kosova në mars të vitit 1999.

"Këtu ka qenë tmerr. Kanë qenë paramilitarë me automatë e të gjitha. Unë babën edhe nanën i kam fut në tren prej dritares. Kanë qenë nga 25-30 veta. Në Han të Elezit, ushtria na ka pritur atje dhe na kanë thënë me ecë vetëm në binarë sepse në të dy anët ka qenë e minuar ajo pjesë atje", kujtoi ai.

Veseli u shpreh i kënaqur që do të memorizohet ky lokacion në muze, në mënyrë që të mos harrohet asnjëherë historia nëpër të cilën kaluan shqiptarët.