Lavanderia më e madhe në botë aktive prej 140 vitesh

Lavanderia më e madhe në botë aktive prej 140 vitesh

Në Dhobi Ghat, rreth 7.000 punëtorë duke filluar në mëngjes herët lajnë më shumë se 100.000 rroba çdo ditë duke punuar me një mesatare prej 18-20 orësh.

Lavanderia më e madhe në botë, Dhobi Ghat, që ndodhet në qytetin Mumbai (Bombei) të Indisë, pastron veshjet e papastra të qytetit më të populluar të vendit për gati 140 vjet, shkruan Anadolu Agency.

E ndërtuar gjatë periudhës koloniale britanike në fund të shekullit të 19-të, Dhobi Ghat tashmë është shndërruar në lavanderinë më të madhe në botë.

Po ashtu Dhobi Ghat, i cili është edhe një nga vendet më të vizituara nga turistët njihet edhe me emrin "Mahalaxmi Dhobi Ghat" për shkak se ndodhet në një largësi prej 100 metra nga stacioni i trenave Mahalaxmi.

Dhobi Ghat i shërben prej vitesh Mumbait që me popullsinë e tij prej më shumë se 20 milionë banorë është një nga qytetet më të populluar të vendit. Në të njëjtën kohë në Dhobi Ghat ndodhen më shumë se 200 familje të cilat lavanderinë e kanë bërë një profesion duke e trashëguar brez pas brezi.

Lavanderia ku mijëra veshje të sjella nga të katër anët e vendit pastrohen me çmime të arsyeshme, është një burim i rëndësishëm të ardhurash si për familjet që punojnë dhe që jetojnë në këtë zonë si dhe për punonjësit që vijnë nga zona të tjera. Punonjësit këtu fitojnë mesatarisht rreth 400-600 rupi (6-9 dollarë).

- Lahen më shumë se 100 mijë veshje

Në Dhobi Ghat, rreth 7.000 punëtorë duke filluar në mëngjes herët lajnë më shumë se 100.000 rroba çdo ditë duke punuar me një mesatare prej 18-20 orësh.

Punonjësit i lajnë rrobat duke i goditur në mbi 700 gurët larës dhe i thajnë ato në diellin e drekës pasi i varin në tela.

Veshjet të cilat paketohen pasi hekurosen u dërgohen më pas klientëve në zona të ndryshme të qytetit. Shumë hotele, kompani dhe spitale prej vitesh preferojnë Dhobi Ghat për shkak të shërbimit të shpejtë që ai ofron.

- Lavanderi me rekordin Guinness

Po ashtu Dhobi Ghat me iniciativën e kooperativës Dhobi Kalyan dhe Audhyogik Vikas të cilët përfaqësojnë sektorin e rrobave, në vitin 2011 ka edhe rekordin botëror Guinness si "vendi me numrin më të madh të njerëzve që lajnë rroba me duar përnjëherësh".

Sipas të dhënave të kooperativës xhiroja vjetore e Dhobi Ghat arrin në 100 milionë rupi (rreth 15 milionë dollarë).

Gjithashtu Dhobi Ghat, është edhe temë e filmave të Bollywood kinemasë së famshme të Indisë, në filmin "Munna Bhai MBBS" dhe "Bombay Diaries (Dhobi Ghat)" ku ka luajtur edhe Amir Khan.

Nuk dihet edhe për sa kohë do të sfidojë epokën moderne dhe teknologjinë Dhobi Ghat në të cilin punonjësit jetojnë në kushte të këqija ndërkohë që ai është i rrethuar nga ndërtesa shumëkatëshe ku jetojnë indianët e pasur.