Dënim me burgim me kusht dhe me gjobë për mos deklarim të pasurisë

Dënim me burgim me kusht dhe me gjobë për mos deklarim të pasurisë

Asamblisti i AAK-së në Komunën e Kamenicës, Isah Hoda, i akuzuar për mos deklarim të pasurisë, të mërkurën, është dënuar me dy muaj burgim si dhe 200 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë.

Mirëpo, dënimi me burg ndaj tij nuk do të ekzekutohet, nëse ai brenda periudhës verifikuese prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

I akuzuari Hoda, po ashtu, obligohet që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 eurosh, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit është shpallur nga gjykatësi i rastit Sadri Krasniqi, pasi ai paraprakisht me avokatin e tij mbrojtës, Lulzim Canaj, më 23 prill 2019, kishin arritur marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Gjilan për pranimin e fajësisë, të cilën marrëveshje, të mërkurën e ka aprovuar gjykatësi Krasniqi.

Në seancën e 23 prillit të këtij viti, i akuzuari Hoda kishte propozuar shtyrjen e seancës, me qëllim që të ketë kohë dhe mundësi për të hyrë në marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Këtë propozim të tij nuk e kishte kundërshtuar prokurori i rastit, Ismet Ukshini, ndërkaq me aktvendim e kishte miratuar gjykatësi Sadri Krasniqi.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 7 shkurt 2019, asamblisti i AAK-së në Kamenicë, nuk e kishte pranuar fajësinë, duke thënë se ai ishte kyçur vonë në Asamblenë Komunale dhe se nuk e kishte ditur se duhej ta bënte deklarimin e pasurisë.

Ndërkaq, në seancën e 26 marsit të këtij viti, ai kishte vazhduar me mos pranim fajësie, duke deklaruar se njoftimi që duhej ta deklaronte pasurinë i kishte ardhur me vonesë nga përfaqësuesi i Kuvendit Komunal në Kamenicë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 12 korrik 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Isah Hoda, me arsyetimin se ai nga 1 deri më 31 mars të vitit 2018, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, Këshilltar Komunal në Komunën e Kamenicës, ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, mirëpo, për periudhën 1 deri më 31 dhjetor 2017, i njëjti nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara brenda afatit ligjor.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me veprimet e tij nuk e ka bërë deklarimin e rregullt të pasurisë, edhe pse sipas ligjit ka qenë i detyruar ta bëjë këtë deklarim.

Me këtë, Isah Hoda, po akuzohej se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi