Drejtori në AHR dënohet me një vit burg efektiv për keqpërdorim të detyrës

Drejtori në AHR dënohet me një vit burg efektiv për keqpërdorim të detyrës

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me një vit burgim efektiv drejtorin e Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH), Abdylkadër Muçaj.

Kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka deklaruar se dënimi do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil, ndërkaq tanimë i dënuari do të paguajë shpenzimet  e procedurës penale dhe 200 euro në emër të paushallit 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndryshe, aktakuza e përpiluar më 14 tetor 2015 ,nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në tetor të vitit 2015, pretendon se Muçaj, në cilësinë e drejtorit të Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të ARH-së, ka lëshuar një vendim në kundërshtim me ligjin.

Ky vendim i 31 marsit 2014,  ka të bëjë me revokimin e licencës për transport hekurudhor të mallrave për ndërmarrjen “Railtrans” L.L.C., me seli në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, ky veprim i kundërligjshëm i Muçajt, i kishte sjellë përfitime operatorit të vetëm publik dhe monopolist “Trainkos”, duke e dëmtuar kështu kompaninë “Railtrans”, me vlerë prej 1.2 milion euro. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi