Fitojnë Feronikeli dhe Prishtina, titulli vendoset në “Rexhep Rexhepi”

Fitojnë Feronikeli dhe Prishtina, titulli vendoset në “Rexhep Rexhepi”

Feronikeli dhe Prishtina, dy skuadrat e vetëm në garën për titull të kampionit, kanë arkëtuar edhe nga tri pikë të reja.

Lideri i tabelës, “Nikli” mundi në udhëtim Llapin, me rezultat 1-3, në kuadër të javës së 32-të të elitës së futbollit tonë, duke bërë hapin gjigant në garën për titull të kampionit.

Arbër Prekazi (17’), Mendurim Hoti (55’) dhe Kastriot Rexha (62’), shënuan nga një gol për fitoren e skuadrës nga Drenasi, derisa golin e vetëm për llapjanët e realizoi Festim Alidema (20’), raporton RTKlive.

Ndërkohë, fitore tejet të rëndësishme ka shënuar edhe Prishtina, e cila mundi Trepçën ’89, me rezultat 3-0, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Mankenda (48’), Khalid (68’), Mario Morina (90+3), u përkujdesën për fitoren e kryeqytetasve, të cilët kanë dy pikë më pak se kryesuesi i tabelës, Feronikeli, dhe titulli i kampionit do të përcaktohet këtë fundjave në përballjen mes këtyre dy skuadrave, takim ky që do të luhet në “Rexhep Rexhepi”, në kuadër të javës së fundit të këtij sezoni.

Tri pikë të mëdha në garën për t’i ikur barazhit, i ka arkëtuar Flamurtari që në udhëtim mundi Dritën, me rezultat 1-2.

Ndërkaq, sfida tjetër e zonës së barazhit mes Drenicës dhe Ballkanit u mbyll baras 1-1.

Përfundimisht në xhiron e fundit e cila luhet këtë fundjave, do të vendoset për titullin e kampionit dhe skuadrat që do të luajnë në barazh.

Autor: RTKLive