Sarri drejt shkarkimit nga drejtimi i Chelsea-t, vjen një legjendë

Sarri drejt shkarkimit nga drejtimi i Chelsea-t, vjen një legjendë

Maurizio Sarri me shumë gjasa nuk do të mbetet trajner i Chelsea-t pas përfundimit të sezonit.

Blutë e Londrës pritet ta shkarkojnë italianin për të rikthyer në stadiumin “Stamford Bridge” një legjendë të klubit dhe një emër që bashkon të gjithë tifozët, Frank Lampard.

Lampard ishte fillimisht një ide përgjatë një sezoni me plot luhatje, po transformohet në një negociatë zyrtare. Aktualisht, ish-mesfushori i kombëtares angleze, që ka shkëlqyer për shumë sezone me fanellën e bluve, drejton ekipin e Derbi County me rezultate impresionuese, në Championshipin anglez.

Manjati rus, Abramovich, i cili zotëron aksionet e Chelsea-t, ka vendosur, edhe pse jo zyrtarisht, të përballojë faturën financiare të shkarkimit të Sarrit, duke sakrifikuar italianin për shkak të problemeve taktike dhe përplasjes me disa lojtarë kryesorë. Lampard nuk ka shumë eksperiencë në pankinë, por ka luajtur me blutë për 13 vjet, duke shënuar 211 gola në 648 ndeshje në total.

3 tituj në Premier League, një Champions dhe Europa League, janë trofetë më të rëndësishëm që ai ka fituar me ekipin që tani synon ta ulë në stol. Lampard konsiderohet një legjendë mes tifozëve që pikërisht në epokën e tij kanë shijuar dhe sukseset më të mëdha.