Tiranë-Durrës me pagesë, trau vendoset në vjeshtë

Tiranë-Durrës me pagesë, trau vendoset në vjeshtë

Ministria e Infrastrukturës do të certifikojë rrugën e dytë me pagesë për qytetarët. Firma që ka shprehur interesin dhe kushtet e përfolura të kontratës. Pagesa për kalim nga 2 deri në 5 euro për mjetet, sipas kategorisë

Autostrada Tiranë-Durrës do të jepet me koncesion. Në fakt ky është një lajmërim i vjetër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që në kohën kur në krye të saj ishte ministër Damian Gjikunri. Gjatë kësaj periudhe relativisht të gjatë, ku janë bërë edhe ndërhyrje në asfaltimin e rrugës, ministria është treguar hermetike, për të zbardhur kushtet e kontratës, marrëveshjes koncesionare dhe firmës që do ta marrë përsipër. Tashmë, orari i kësaj kontrate po afron dhe kalimi në  autostradë do të bëhet me pagesë. Lajmin e bën të ditur, ministrja aktuale e Infrastrukturës, Belinda Ballluku në një intervistë për Tv Scan, e cila referon se projekti për aksin iu është dorëzuar investitorëve, ndërsa pritet shprehja e interesit nga ana e tyre. “Unë kohët e fundit kam pasur kontakte me shumë investitorë të huaj. Ministria ka përgatitur fisha të veçanta për çdo projekt për të gjetur partneritetin e duhur, qoftë edhe nga pikëpamja e eksperiencave që investitorët e huaj kanë, por edhe nga pikëpamja e interesit të zhvillimit që ato kanë në vendin tonë. Kështu që, rruga Tiranë-Durrës është dorëzuar në duart e disa investitorëve të huaj që kanë treguar interes, pasi ai është aksi kryesor që lidh kryeqytetin me portin tonë ndërkombëtar. Ashtu sikurse dihet, ajo autostradë prek zonën industriale të Shqipërisë dhe jo vetëm Tiranën apo Durrësin. Kështu që, besoj edhe interesi nga ana e investitorëve, shumë shpejt do të jetë i shprehur. Ndaj mendojmë që të gjitha këto projekte, vjeshta do t’i gjejë në kohën e nënshkrimit të kontratave dhe të realizimit të tyre” është shprehur ministrja.

Megjithatë, Balluku sqaron se të gjithë projektet e rrugëve që synohen të jenë me pagesë, do të kenë edhe alternativën e tyre, që mund të aksesohet falas. “Të gjitha rrugët që do të konsiderohen të futen në një koncesion me pagesë do të jenë rrugë që kanë alternativën e tyre. Kjo do të thotë që qytetarët mund të përdorin rrugën alternative, pa pagesë. Gjithashtu, ajo çfarë ne synojmë në projektet tona për rrugët me pagesë është që ndërtuesi apo investitori duhet të marrë përsipër dhe rehabilitimin e rrugëve ekzistuese. Ky është një element i ri që ne po mundohemi të futim në kontratat e reja dhe që normalisht do të ishte në favor të qytetarëve dhe të shtetit shqiptar, sigurisht”ka shtuar ajo. Kjo kërkesë e ministrisë vjen pas problematikës së shkaktuar me autostradën Milot-Morinë, ku aktualisht nuk ka asnjë rrugë alternative, ndërkohë që banorët e Kukësit janë të detyruara të paguajnë, ndonëse aplikohen tarifa të reduktuara.

Koncesionarët

Edhe pse Ministria e Infrastrukturës nuk ka pranuar ta bëjë publike ofertën për koncesionin e rrugës Tiranë-Durrës, “Shekulli” ka mësuar më herë disa prej detajeve që janë përfolur për marrëveshjen. Sipas  burimeve brenda ministrisë, ofertuesi dhe fituesi i mundshëm është një grup i madh indian me disa koncesione autostradash në Azi, por që në Shqipëri është i përfaqësuar nga dy kompani lokale, Albstar dhe kompania Trema Inxhiniering. Por si do të preken qytetarët nga dhënia me koncesion e kësaj rrugë? Studimi i fizibilitetit, që edhe ky nuk është bërë publik nga qeveria, parashikon dy tarifa. Për automjetet e vogla do të paguhet 2 euro për çdo kalim, ndërsa për automjetet e mëdha tarifa do të jetë 5 euro. Projekti për dhënien me koncesion të rrugës Tiranë-Durrës parashikon që kompania private të zgjerojë me dy korsi të tjera rrugën kryesore si dhe do të sigurojë rrugë alternative kalimi pa pagesë. Bëhet fjalë për rrugën e vjetër Tiranë-Ndroq-Plepa, e cila do të rikonstruktohet, po nga kompania private. Në projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria ka vënë si vlerë tavan për këtë koncesion shifrën 49.1 miliardë lekë ose rreth 380 milionë euro. Qeveria ka pranuar zyrtarisht se ka marrë një ofertë të pakërkuar, por Ministria e Infrastrukturës deklaroi se kjo ofertë është në fazë shqyrtimi dhe nuk është vendosur ende nëse do të pranohet ose jo. Ndaj edhe shifrat si ajo e ndërtimit të rrugës, si tarifa e kalimit, janë ende jo zyrtare dhe do të përcaktohen përfundimisht vetëm në vjeshtë.

Deklarata

Një deklaratë e kryeministrit Edi Rama në qershor 2018 për kalimin me pagesë në autostradën Tiranë-Durrës bëri bujë asokohe, edhe pse ky projekt kishte kohë që lakohej nga qeveria. Futja në skemën e rrugëve me pagesë e arteries kryesore të infrastrukturës rrugore në vend u argumentua nga kreu i qeverisë si një mundësi për ta mirëmbajtur atë në standardet e nevojshme. “Rruga Tiranë-Durrës nuk është një rrugë që thjesht meriton mirëmbajtje, është një rrugë që ka tanimë domosdoshmërinë e një rindërtimi dhe zgjerimi. Për këtë po bëjmë një studim që përfundon rreth mesit të korrikut, ku duam të vlerësojmë rindërtimin dhe zgjerimin për të rritur shpejtësinë e kontaktit mes Durrësit dhe Tiranës dhe sigurinë e lëvizjes, në aksin ekzistues me pagesë, ndërkohë rindërtimin dhe pastaj shfrytëzimin pa pagesë të një tjetër aksi shumë të rëndësishëm dhe të degraduar në maksimum për kaq shumë vite, Tiranë-Ndroq-Plepa që hap dhe një perspektivë për zhvillimin e mëtejshëm të agroturizmit, ku aty ka disa shenja të para dhe ku ka peizazhe dhe potenciale të jashtëzakonshme për agroturizmin”, tha Rama.

 


MË SHUME NGA Ekonomi