Opozita britanike premton panele diellore për të varfrit

Opozita britanike premton panele diellore për të varfrit

Laburistët britanikë kanë në plan të pajisin me panele diellore 1.75 milion shtëpi, përfshirë banesat sociale apo godinat ku jetojnë familje me të ardhura të ulëta.

Një nismë e tillë është pjesë e revolucionit të gjelbër industrial që kjo forcë politike premton në vazhdën e përpjekjeve për të luftuar ndryshimet klimatike e për të hapur vende të reja pune.

Programi do të njoftohet nga vetë kreu i opozitës Jeremy Corbyn dhe sekretaria e biznesit në qeverinë e tij hije, Rebecca Long-Bailey.

Kjo, sipas laburistëve, do të siguronte mjaftueshëm energji për këto familje, duke i zbutur atyre barrën e faturave të energjisë elektrike e duke lehtësuar nga ana tjetër edhe rrjetin kombëtar.

Sipas mediave, përcjell tch, 750.000 familje të tjera do të kenë mundësinë që panelet t’i blejnë përmes granteve apo kredive pa interes.

Partia e Corbyn parashikon që këto politika do të krijojnë 16,900 vende të reja pune e do të reduktojnë ndotjen e 7.1 milionë tonë CO2 në vit, e baras vlefshme kjo me heqjen e 4 milionë makinave nga rruga.

Ideja është një jehonë e marrëveshjes së re të gjelbër të propozuar nga demokratët në Shtetet e Bashkuara dhe ideve që kanë paraqitur të gjelbrit në Britani.