Arabia Saudite akuzon Iranin për sulmet në rafineritë e naftës

Arabia Saudite akuzon Iranin për sulmet në rafineritë e naftës

Arabia Saudite ka akuzuar Iranin për urdhërimin e sulmeve në objektet e rafinerisë së naftës.

Përgjegjësinë për këto sulme e kanë marrë rebelët Huthi të Jemenit.

Ministri i Mbrojtjes i Arabisë Saudite, Khalid bin Salman, tha se sulmet ishin "të urdhëruara nga regjimi në Teheran” të cilin ai e akuzoi për përdorimin e rebelëve Huthi si "mjet për të zbatuar agjendën e ekspansioniste në rajon".

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Adel al-Jubeir shkroi në Twitter se rebelët Huthi po "sakrifikojnë popullin jemenas për të mirën e Iranit", transmeton REL.

Nuk pati komente të menjëhershme nga Irani, i cili ka mohuar mbështetjen për rebelët Huthi.

Më parë gjatë ditës, një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite konfirmoi se kishte kryer sulme ajrore në kryeqytetin jemenas, Sana.

Sulmi, sipas zyrtarëve saudit, kishte në shënjestër objektet ushtarake që mbahen nga rebelët.

Rebelët thanë se sulmet e tyre që dëmtuan një tubacion të naftës saudite ishin një përgjigje ndaj "krimeve" të kryera nga Rijad në Jemen.

Dhuna e fundit vjen në mes të tensioneve në rritje midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Uashingtoni ka rritur presionin mbi Teheranin në ditët e fundit, duke forcuar praninë ushtarake të SHBA-së në rajon për të kundërshtuar atë që zyrtarët e SHBA-së i quajtën kërcënime nga Irani kundër interesave të Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të saj.

Irani ka hedhur poshtë pretendimet duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për një përshkallëzim "të papranueshëm" të tensioneve.

Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në Jemen në mars të vitit 2015 për të zbrapsur rebelët Huthi si dhe për të rivendosur qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të presidentit, Abd-Rabbu Mansur Hadi.

Konflikti, i cili ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, shumë prej të cilëve civilë, është parë si një luftë ndërsjellë midis Arabisë Saudite dhe Iranit si rivale rajonale.