Rigjykimi për fajde dhe keqpërdorim detyre

Rigjykimi për fajde dhe keqpërdorim detyre

Të enjten, ka përfunduar procesi gjyqësor ndaj katër të akuzuarve për fajde, Nuhi, Flamur e Xhelal Hoxha, si dhe policit Hamdi Jashari, i akuzuar edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë rast, që ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në fillim të këtij viti, është dhënë fjala përfundimtare nga prokurorja Dulina Hamiti dhe mbrojtësit e të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Xhelal Hoxha akuzohet për fajde në vazhdimësi, Nuhi Hoxha akuzohet për shkak të ndihmës në kryerjen e veprës penale të fajdesë. Flamur Hoxha akuzohet për fajde, ndërkaq, Hamdi Jashari akuzohet për shkak të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të fajdesë.

Prokurorja Hamiti tha se edhe në shqyrtimin paraprak kishte dhënë fjalën e saj përfundimtare, andaj tha se qëndron prapa saj, duke shtuar se me prova e fakte është vërtetuar fajësia e të akuzuarve.

Ajo tha se gjatë rigjykimit, gjendja faktike nuk ka ndryshuar nga gjykimi i mëhershëm, çka sipas saj, i bën të akuzuarit fajtorë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Xhelal Hoxha, avokati Fanol Krasniqi tha se Prokuroria ka dështuar të vërtetojë aktakuzën dhe dëmin e shumave të përmendura në aktakuzë.

“Prokuroria askund s’ka mundur të vërtetojë që Xhelal Hoxha i ka dhënë me fajde tani të dëmtuarit Arben Gjibexhiut 8 mijë euro, e i ka thënë t’i kthejë 16 mijë, e as për Gazmend Mikollovci nuk është kontestuese se ka marrë hua nga Hoxha një veturë të tipit “Opel” në shumë prej 5500 euro, por të cilën ende nuk e ka paguar”, tha avokati Krasniqi.

Si përfundim ai kërkoi lirim nga akuza për klientin e tij.

Avokati i të akuzuarit, Nuhi Hoxha, Ramiz Krasniqi tha se është mjaft interesant për të fakti që prokurori që kishte nisur hetimet nuk kishte nxjerrë as aktvendim për fillim të hetimeve, sipas tij, duke mbajtur lëndën për tre muaj pa asnjë veprim procedural.

Ai shtoi se prokurorja Hamiti kur kishte marrë lëndën, kishte vepruar shpejt duke ngritur aktakuzën e që kishte ndërruar kualifikimin e Hoxhës nga vepra “fajdeja”, në veprën ndihmë në fajde.

Krasniqi tha se Prokuroria i kishte konfiskuar Hoxhës vetura që në vitin 2016, duke konsideruar se ato vetura ishin të akuzuarit tjetër Xhelal Hoxha, por që të njëjtat nuk ishin të tij.

Sipas Krasniqit, që nga viti 2016, kur këto vetura i ishin konfiskuar të njëjtit i ka humbur biznesi që e kishte me vetura, përkatësisht kompani për lëshimin e veturave me qira.

Në fund Krasniqi, kërkoi që Hoxha të lirohet nga akuza dhe që veturat e konfiskuara t’i kthehen.

Ndërsa, vetë i akuzuari Hoxha tha se kërkon që gjykata t’i kthejë pasaportën e konfiskuar qysh kur ishte arrestuar.

I akuzuari Flamur Hoxha, i cili mbrohej vetë, tha se qëndron prapa deklarimeve të tij në gjykimin e zhvilluar më parë për këtë rast duke kërkuar drejtësi nga gjykata.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Hamdi Jashari, avokatja Drita Hoxha, tha se mbetet pranë deklarimeve dhe fjalës përfundimtare të dhënë nga avokati Asdren Hoxha.

Në këtë seancë, paraprakisht u bë administrimi i provave dhe u refuzua kërkesa e prokurores për dëgjimin e të dëmtuarve, dëshmitarëve që ishin dëgjuar edhe në procesin gjyqësor para rigjykimit.

Kurse, të akuzuarit në mbrojtjen e tyre, deklaruan se mbeten në tërësi pranë thënieve në procesin e parë të zhvilluar pranë të njëjtit trup gjykues.

Ndryshe, prokurorja Hamiti në këtë seancë precizoi kohën e kryerjes së veprës penale për të akuzuarit Xhelal dhe Nuhi Hoxha. Për të akuzuarit Xhelal dhe Nuhi Hoxha, ajo ka përcaktuar kryerjen e veprës penale nga muaji korrik i vitit 2014, deri në korrik të vitit 2015.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimi, është caktuar të bëhet më 24 maj, në orën 13:15.

Caktimi i kësaj date për shpalljen e aktgjykimit, gjykatësja ka thënë se është bërë për shkak se do të jetë në një udhëtim zyrtar për disa ditë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 nëntor 2017, Xhelal Hoxhën e kishte dënuar për veprën penale në vazhdimësi “fajde” dhe për këtë i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vite si dhe dënim me gjobë prej 1000 euro.

Nuhi Hoxha, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale “fajde” dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Për veprën penale të fajdesë ishte dënuar me tetë muaj burgim dhe 500 euro gjobë edhe Flamur Hoxha, kurse polici Hamdi Jashari, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të fajdesë, ishte dënuar me dënim unik prej një viti burgim dhe 500 euro gjobë.

Të pakënaqur me këtë aktgjykim të gjykatës së shkallës së parë, të gjithë të dënuarit përmes mbrojtësve të tyre ishin ankuar në Gjykatën e Apelit duke kërkuar nga kjo e fundit që t’i lirojë nga akuza apo që çështja të kthehet në rigjykim.

Ankesat e të akuzuarve ishin shqyrtuar në Apel në seancën e 15 shkurtit të vitit 2019.

Sipas vlerësimit të Apelit, ankesat e të akuzuarve janë të bazuar pasi që, aktgjykimi i atakuar me ankesë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për faktin se dispozitivi  është në kundërshtim me arsyetimin si dhe gjykata nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare ndërsa arsyet të cilat i ka dhënë  janë të pa mjaftueshme.

Po ashtu, sipas Apelit,  gjykata e shkallës së parë nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë  se cilat fakte dhe për çfarë arsye i ka konsideruar të vërtetuara apo të pa vërtetuara, nuk ka vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse, arsyet e mos aprovimit të propozimeve të palëve si dhe nuk ka dhënë arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje penalo-juridike.

“Gjykata e shkallës së parë nuk ka analizuar të gjitha provat materiale dhe jo materiale veç e veç dhe të njëjtat nuk i ka ndërlidhur me njëra tjetrën për të ardhur deri te një gjendje faktike të vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë e sidomos kur kemi parasysh faktin se shumica e të dëmtuarve nuk e ndiejnë vetën të dëmtuar dhe në këtë rast gjykata  është dashur që të bëj krahasimin e dëshmive  të tyre të dhëna në procedurat e mëparshme, të vlerësoj se a janë të ligjshme dhe konform dispozitave të procedurës penale e pastaj pas ndërlidhjes së secilës prej tyre të merr vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Sa i përket konfiskimit të automjeteve që ishin bërë të akuzuarit Nuhi Hoxha, Apeli thekson se  qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes se  nga aktgjykimi nuk mund të kuptohet se nga kush janë konfiskuar automjetet në fjalë dhe nuk janë dhënë asnjë arsyetim lidhur me arsyet e konfiskimit dhe se  automjetet në fjalë a janë të përfituara nga vepra penale për të cilat akuzohen të akuzuarit apo janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Në rigjykim, Apeli e udhëzon gjykatën e shkallës së parë se duhet të veprojë në pajtim me vërejtjet e lartcekura, t’i eliminojë të gjitha shkeljet e cekura, t’i administrojë të gjitha provat dhe të njëjtat t’i vlerësojë në pajtim me dispozitën e nenit 370, par.6 dhe 7 të KPP, dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerr konkluzione të drejta të ligjshme e të bazuara në provat e administruara e mandej të merr vendim përkatës.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Xhelal dhe Flamur Hoxha, nga viti 2014 e tutje, kanë kontraktuar dhe pranuar shumë jo proporcionale të të hollave. Të njëjtit, supozohet se si fajde kanë pranuar rreth 32 mijë e 800 euro nga të gjithë të dëmtuarit, me të cilët kanë kontraktuar.

Kurse, i pandehuri Nuhi Hoxha, akuzohet se ka ndihmuar të akuzuarit e lartpërmendur duke e shtyrë pagesën e këstit të fajdesë të dëmtuarve për borxhin, të cilin ata e kishin marrë nga të pandehurit. Me këtë rast, ata konsiderohet se kanë kryer veprën penale të fajdesë.

Polici Hamdi Jashari, sipas prokurorisë, akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Jashari, sipas aktakuzës, është bërë ndërmjetësues mes të akuzuarit Xhelal Hoxha dhe Mehmet Rizah Ibishit.

Prokuroria pretendon se Jashari ka ndërmjetësuar në mes të pandehurit Xhelal Hoxha dhe njërit prej të dëmtuarve. Jashari akuzohet edhe për ndihmë në fajde, për veprimet e lartpërmendura. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi