“The Van”, filmi i parë shqiptar në Kanë

“The Van”, filmi i parë shqiptar në Kanë

Mbrëmjen e djeshme është hapur në Francë festivali i 72-të i filmit në Kanë, që do të vazhdojë deri më 25 maj.

Filmat do të vlerësohen për Palmën e Artë nga një juri me 9 anëtarë, e drejtuar nga regjisori i serisë së filmave “Mad Max”, George Miller. Festivali i Kanës do të zhvillohet poshtë yjeve, në një kinema në plazh.

Sylvester Stallone, i cili nuk kalon asnjëherë pa u vënë re, rikthehet në këtë festival për të promovuar “Rambo V – Last Blood”, i filmuar pak muaj më parë.

Pas njoftimit zyrtar për edicionin e 72-të të Festivalit të Filmit, u zbulua lista e filmave që do të konkurrojnë në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër, pjesë e tyre edhe filmi shqiptar.

Në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër do të marrin pjesë 11 filma ku 9 prej tyre janë fantashkencë, 1 është dokumentar dhe filmi tjetër është vizatimor, nga Shqipëria, Argjentina, Franca, Finlanda, Greqia, Israeli, Ukraina, Suedia dhe SHBA- të.

Filmi shqiptar “The Van” (Furgoni), nga Erenik Beqiri ku në role kryesore intrepretojnë dy aktoret kosovar Arben Bajraktari, Afrim Muçaj dhe aktori francez, Phénix Brossard do të konkurrojë për herë të parë në festivalin e filmit në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër.

Filmi flet për një djalë rreth të 20-ve i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë lekët e duhura sa me shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një furgoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe furgoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dalë vetëm një fitues/ATSH.