Vazhdon seanca për ‘Grupin Kumanova’

Vazhdon seanca për ‘Grupin Kumanova’

Në Gjykatën e Apelit në Shkup sot vazhdon seanca publike në të cilën duhet të shqyrtohen ankesat e 33 personave të dënuar për këmbim zjarrin e përgjakshëm në Lagjen e trimave në Kumanovë në maj të vitit 2015.

Seanca publike dje filloi në mënyrë të tensionuar pasi që disa nga të akuzuarit u ngritën dhe me fjalë ofenduese ndaj gjykatës kërkuan ta braktisin seancën, sepse, siç thanë në gjuhën shqipe nuk e pranojnë gjykatën dhe kërkojnë hetim ndërkombëtar.

Në seancë morën pjesë vetëm tre nga të akuzuarit, pasi që të tjerët në mënyrë vullnetare e braktisën seancën.

Sipas aktvendimit të Gjykatës themelore Shkup 1 të 2 nëntorit të vitit 2017, për konfliktin e armatosur më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 u dënuan 33 persona.

Shtatë nga të akuzuarit morën dënime me burg të përjetshëm, 13 u dënuan me nga 40 vite, gjashtë me 20, një me 18, dy morën nga 14 vite, dy të tjerë nga 13, ndërsa edhe dy u dënuan me nga 12 vite. Katër morën aktvendime për t’i liruar. Prokuroria atëherë kërkoi burg të përjetshëm për të gjithë.