Basha: Konservatorët britanikë, aleatë për modernizimin e PD

Basha: Konservatorët britanikë, aleatë për modernizimin e PD

Në selinë qendrore të Partisë Konservatore Britanike në Londër, Kryetari i PD, Lulzim Basha, u prit nga Kryetari i Partisë Konservatore britanike z. Brandon Lewis.

Kryetari Basha i shprehu Kryetarit Lewis mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme që Partia Konservatore po i jep Partisë Demokratike për komisionin e përzgjedhjes së kandidatëve sipas modelit britanik, në kuadër të modernizimit dhe hapjes së PD dhe fuqizimit të mëtejshëm të anëtarësisë në procesin e organizimit të primareve.

Basha i shprehu kryetarit Lewis vendosmërinë e tij për ta modernizuar Partinë Demokratike sipas modeleve më të mira perëndimore, ku përvoja britanike në këtë drejtim është nga më të vyerat. Përfshirja direkte e Përzgjedhësit Kryesor të konservatorëve britanik (Chief Assessor) në ngritjen e komisionit të përzgjedhjes së kandidatëve në Partinë ka një domethënie shumë të madhe për bashkëpunimin e mëtejshëm afatgjatë midis dy partive simotra.

Në takim mori pjesë edhe kryetari i degës PD në Britaninë e Madhe z. Naim Hasani.

Dy kryetarët biseduan më tej për bashkëpunimin e ngushtë dypalësh në shkëmbimin e ekspertëve më të mirë, në menaxhimin e fushatave elektorale si dhe në organizimin e brendshëm të partisë.