Cakaj në ministerialin e Këshillit të Evropës: Duhet forcuar organizata

Cakaj në ministerialin e Këshillit të Evropës: Duhet forcuar organizata

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë Gent Cakaj, në ministerialin e Këshillit të Evropës në Helsinki të Finlandës tha se duhen gjetur mënyra për të forcuar Këshillit të Evropës, një organizëm i cili në themel të punës ka të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin ligjor, duke e mbështetur dhe duke gjetur mënyra për të përmirësuar më tej më tej punën e organizatës.

“Shqipëria mbështet misionin dhe përpjekjet e Këshillit dhe kjo mbështetje, si politike dhe financiare, duhet të vijë nga të gjitha shtetet”, tha Cakaj..

Pasi uroi Finlandën për punën e bërë gjatë presidencës së KiE në gjysmën e parë të këtij viti, kryediplomati shqiptar vlerësoi politikat e Këshillit të Evropës në rajonin e Ballkanit.

Ai theksoi se kjo organizatë do të jetë edhe më e suksesshme në rajonin e Ballkanit nëse edhe Kosova behët pjesë e saj. Anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ishte në interes si të vetë Kosovës, ashtu dhe të organizatës.

Ministri në Detyrë Cakaj mori pjesë në pritjen për shënjimin e 70 vjetorit të krijimit të Organizatës së Këshillit të Evropës ku merrnin pjesë ministrat e jashtëm e të gjitha vendeve anëtare në këtë organizatë.

Në përfundim të Ministerialit, ministrat miratuan një Deklaratë dhe një sërë vendimesh që synojnë konsolidimin e organizatës dhe ruajtjen e karakterit gjithë-Evropian të saj.