Zyrtari i KRU “Hidrodrini”, për herë të tretë lirohet nga akuza

Zyrtari i KRU “Hidrodrini”, për herë të tretë lirohet nga akuza

Zyrtari i KRU “Hidrodrini”, në Pejë, Elez Hajdaraj, në mungesë të provave, për të tretën herë është liruar nga akuza për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari të trupit gjykues, gjykatësi Sali Berisha, gjatë shpalljes së aktgjykimit tha se nuk ishte provuar se i akuzuari kishte kryer veprën penale të përvetësimit në detyrë dhe frikësimit gjatë procedurës penale ndaj dëshmitarit Naim Ferati.

Hajdaraj akuzohet se në cilësinë e anëtarit të Bordit në KRU “Hidrodrini” dhe njëherësh ish-përgjegjësi i sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizim i kësaj kompanie, se nga shuma e të hollave të mbledhura nga participimi i banorëve të fshatit Shushicë për ndërtimin e ujësjellësit në lagjet “Avdylaj”, “Zekaj” e “Osmanaj” prej 3.070 euro, 1.500 euro i paguan për firmën e gruas së tij  NPP “Mefi”, ku nga kjo shumë, 423 euro e paguan firmën NPT “Rotring”, siç thuhet në aktakuzë, kinse për kryerjen e matjeve kadastrale.

Në këtë rast, për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, ka qenë i akuzuar edhe Imer Haskaj, por pasi që ai qysh në fillim të kësaj procedure kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, aktgjykimi ndaj tij ishte lënë të shpallet pasi që të përfundon gjykimi ndaj të akuzuarit Elez Hajdaraj.

Me këtë rast, i akuzuari Imer Haskaj, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, të cilën dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri brenda afatit prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 150 euro, detyrohet të paguaj brenda afatit prej 15 ditësh pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Ndryshe, ky rast, ka qenë dy herë i kthyer në rigjykim.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, më 6 korrik 2015, i kishte liruar nga akuza të pandehurit Elez Hajdaraj dhe Imer Haskaj.

Por, më pas Gjykata e Apelit, më 5 nëntor 2015, e kishte aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim, pasi kishte vlerësuar se gjykata e shkallës së parë vetëm ka renditur provat e administruara pa ndonjë analizë të mirëfilltë të tyre në drejtim të vërtetimit të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike.

Kurse, edhe në gjykimin e dytë, Gjykata Themelore në Pejë, më 9 dhjetor 2016, përsëri i kishte liruar nga akuza dy të akuzuarit, Hajdaraj e Haskaj, por që Gjykata e Apelit, përsëri këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, pasi që  më 11 janar 2018, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore ne Pejë.

Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit është i paqartë dhe në kundërshtim me arsyet e paraqitura në aktgjykim, duke shtuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë asnjë fakt vendimtar rreth argumentimit se në mungesë të provave i ka liruar dy të akuzuarit nga aktakuza.

Si rrjedhojë e kësaj, gjykata e shkallës së dytë, kishte gjetur se vendimi i shkallës së parë është marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe është shkelur ligji penal në dobi të të akuzuarve.

Ndryshe, Elez Hajdaraj akuzohet se më 18 maj 2009, si anëtar i Bordit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” në Istog dhe njëherësh përgjegjës i sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizim i “Hidrodrinit”, përvetëson pasurinë e luajtshme që i është besuar.

Ai akuzohet se këtë e ka bërë nëpërmjet firmës së tij private N.P.P “MEFI”, me seli në Istog dhe firmës së mikut të tij NPT “Rotring”.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që nga shuma e të hollave të mbledhura nga participimi i banorëve të fshatit Shushicë për ndërtimin e ujësjellësit në lagjet “Avdylaj”, “Zekaj” e “Osmanaj” prej 3.070 euro, 1.500 euro i paguan për firmën e tij NPP “MEFI”, ku nga kjo  shumë, 423 euro e paguan firmën NPT “Rotring”, kinse për kryerjen e matjeve kadastrale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka urdhëruar dëshmitarin Nezir Avdylaj që shumën prej 300 euro, nga të hollat e mbledhura si participim i banorëve të fshatit Vrellë në Istog, t’ia paguaj Besim Avdylajt, si shpërblim ekstra për punimet që i ka bërë me ekskavatorin e firmës “Hidrodrini” në hapjen e kanaleve për ujësjellës, kjo kinse për të përshpejtuar punimet, edhe pse i njëjti si punëtor i kësaj kompanie ka pas për obligim që t’i kryej punimet në fjalë.

Gjithashtu, aktakuza e ngarkon të pandehurin Hajradaj se ka përvetësuar pasuri të luajtshme edhe për dajën e tij, Imer Haskaj, ku siç thuhet në aktakuzë, këtë e ka bërë në atë mënyrë që sasinë e trupave teknik prej 15m3, të dhëna si donacion K.U.R “Hidrodrinit” nga Agjencia Pyjore e Kosovës (APK), për ndërtimin e urës në Vrellë, ku  jep urdhër që të dërgohen në punëtorinë e të lartpërmendurit Haskaj “Edona”, për përpunimin e tyre.

Sipas aktakuzës, madje nga mjetet e “Hidrodrinit”, të njëjtit ia paguan shumën prej 1.432.00 euro edhe pse ura në fjalë kurrë nuk është ndërtuar dhe se pas inspektimit në depon e “Hidrodrinit” është konstatuar se gjendet sasia prej 3.80m3 të shtafneve të përpunuara, nga sasia prej 10.05m3që është dashur të jetë.

Imer Haskaj akuzohet se më 4 qershor 2010, si person përgjegjës i firmës “Edona”, kishte përpiluar fatura të rreme, në atë mënyrë që pasi u ishin dhënë nga ana e punëtorëve “Hidrodrini” në Istog, 15m3 dru për përpunim në vlerë prej 2.280 euro, me qëllim të ndërtimit të urës në fshatin Vrellë, i njëjti kishte kthyer kësaj ndërmarrje vetëm sasinë 3.80m3, edhe pse ura nuk ishte ndërtuar asnjëherë.

Haskaj në seancën e 30 tetorit të vitit të kaluar, kishte prezantuar para gjykatës marrëveshjen për pranim të fajësisë të lidhur me prokurorinë

Sipas marrëveshjes të prezantuar nga prokurorja Gashi, i akuzuari së bashku me mbrojtësin e tij, avokati Gëzim Baloku, ishin pajtuar që si këmbim të pranimit të fajit, gjykata t’i shqiptojë dënim me burgim nga tre deri gjashtë muaj burgim me kusht, nëse brenda afatit prej një viti, i akuzuari Haskaj nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për të akuzuarin Imer Haskaj, ndërsa shqiptimi i dënimit ndaj tij është pezulluar, deri në përfundimin e gjykimit. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi