Së shpejti shpallet programi për subvencionimin e fermerëve

Së shpejti shpallet programi për subvencionimin e fermerëve

Fermerët e Kosovës tani e tutje do të mund të marrin derivate të naftës me çmim më të lirë, për 5 centë për litër. Kjo është bërë e mundur pasi ka filluar implementimi i marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet Kompanisë “Shell” me komunat e Kosovës. Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë thonë se së shpejti pritet të shpallet programi për subvencionimin e fermerëve për këtë vit.

Marrëveshja parasheh zbritje të çmimit të derivateve të naftës, për 5 centë për litër për të gjithë fermerët e komunave të Kosovës.  Marrëveshja ka për qëllim përkrahjen e drejtpërdrejtë për fermerët në mënyrë që të nxitet punimi i tokës bujqësore dhe promovohet konsumimi i prodhimeve vendore. Për bujkun Basri Avdyli, nga Ferizaj, lirimi i çmimit të derivateve do të duhej të ishte edhe më i madh. 

 “Shumë pak, minimumi duhet të jetë 50 centë në litër, atëherë ia vlen, unë marr prej “Al Petrolit” 9 centë më lirë”, tha ai.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, thotë për Radio Kosovën se edhe pse zbritja është simbolike, megjithatë është e mirëseardhur për bujqit e Kosovës.

 “Kjo shumë simbolike, sado pak për bujqit tanë, që janë në gjendje të vështirë ekonomike, është një sinjal i cili jep pak shpresë se dikush po mendon për bujqit kosovarë”, thotë Tahiri.

Por, Tahiri thotë se derisa nuk subvencionohet  nafta, plehrat dhe materialet e tjera, nuk mund do të ketë bujqësi të zhvilluar.

 “Nuk do të kemi zhvillimin e proklamuar për bujqësinë dhe punësimin e të rinjve në këtë sektor. Nuk shpresojmë se do të arrijë që bujku i Kosovës të jetë konkurrent me produktet jolojale që na vijnë nga importi. Pra, jemi në një situatë që nuk po shohim hapa konkretë të cilët do të ishin shpresëdhënës për sektorin e bujqësisë”, tha ai.

Sidoqoftë, Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar për Radio- Kosovën se  së shpejti pritet të shpallë programin për subvencionimin e fermerëve për  vitin 2019.

Autor: Majlinda Doda