Irani ndryshon strategjinë e eksportit të naftës

Irani ndryshon strategjinë e eksportit të naftës

Irani ka filluar me disa strategji dhe destinacione të reja për transportin e naftës, pas rivendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara, tha një zyrtar i lartë Iranian për mediat lokale, raporton Reuters.

“Strategjia e Ministrisë së Naftës për eksportin ka ndryshuar dhe po ashtu destinacionet e transportit”, tha Hardi Haqshenas.

Haqshenas nuk dha detaje për strategjinë e re të destinacionit të transportit.

Eksporti i naftës nga Irani ka shënuar rënie në muajin maj për 500,000 barela për ditë, pas sanksioneve të Uashingtonit që goditën burimin më të madh të të ardhurave të Teheranit.

Teherani nuk vazhdon të raportojë prodhimin në Organizatën e Shteteve Eksportuese të Petroleumit, dhe nuk ka informacione definitive rreth eksportit.

“Nuk mund te mohohet se eksporti ka rënë dukshëm, krahasuar me të kaluarën, por transporti nga portet tona nuk është ndalur”, tha Haqshenas duke mos përmendur shifra.

Në majin e vitit të kaluar, presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja e vitit 2015 në mes të fuqive botërore për marrëveshjen bërthamore me Iranin. Që nga ajo kohë, Uashingtoni ka ndërruar retorikën dhe ka rritur vazhdimisht sanksionet ndaj Iranit.

Të dyja palët kanë deklaruar se nuk duan të hyjnë në luftë.