Mbreti saudit kërkon samit urgjent të vendeve arabe për shkak të Iranit

Mbreti saudit kërkon samit urgjent të vendeve arabe për shkak të Iranit

Arabia Saudite ka bërë thirrje për mbajtjen e dy takimeve urgjente me aleatët arabë më vonë gjatë këtij muaji për të diskutuar lidhur me sulmet ndaj anijeve dhe rritjen e tensioneve me Iranin.

Mbreti Salman bëri thirrje të shtunën që Këshilli i Gjirit Persik për Bashkëpunim dhe Liga Arabe të mblidhen në samitet urgjente në Mekë më 30 maj.

Zyrtarët sauditë thanë se bisedimet do të jenë të përqendruara në sulmet ndaj katër anijeve tregtare pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe një vargu sulmesh me dronë në fushat e naftës afër Riadit.

Irani ka mohuar se ka qenë i përfshirë në sulmimin e anijeve. Rebelët Huthi me bazë në Jemen, të cilët mbështeten nga Tehrani, e kanë marrë përgjegjësinë për sulmet me dronë në Arabinë Saudite.

Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite njoftoi se liderët e vendeve arabe në samitet e jashtëzakonshme do të diskutojnë për agresionin ndaj shteteve dhe pasojat e këtyre veprimeve.

Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë aleate të ngushta me Arabinë Saudite, e mirëpritën thirrjen e mbretit Salman për mbajtjen e samiteve në Mekë dhe thanë se rrethanat kritike në Lindje të Mesme kërkojnë qëndrim të bashkuar të kombeve arabe në Gjirin Persik dhe vende të tjera, shkruan “Free Europe”.