Ligjet sociale zbusin varfërinë, nuk zhvillojnë ekonominë

Ligjet sociale zbusin varfërinë, nuk zhvillojnë ekonominë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut beson në miratimin këtë muaj të ligjeve në sferën sociale, me të cilat sipas saj, do të përmirësohet gjendja ekonomike e shumë familjeve në gjendje të rëndë.

Ligjet janë hartuar nga Ministria e Punës dhe e Politikës Sociale, por kanë mbetur pa u miratuar për shkak të zgjedhjeve presidenciale, por edhe për shkak të nevojës së harmonizimit të qëndrimeve mes partive në pushtet.

“Ulja e varfërisë në vendin tonë, apo lufta me varfërinë është prioritet i Qeverisë sonë dhe këtë e kemi dëshmuar me punën intensive për hartimin e ligjeve në sferën sociale, të cilat besoj se do të miratohen gjatë këtij muaji. Si çdo reformë, edhe këtë jemi duke e hartuar me të gjithë faktorët e rëndësishëm në vend”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ministrja e Punës dhe e Politikës Sociale, Milla Carovska.

Reforma sociale e hartuar nga ministria që drejton ajo, ka paraparë ndryshime të shumta sa i përket ndihmës sociale, përfshirë edhe atë që kishte të bëjë me rritjen e natalitetit. Familjet me nga tre fëmijë, sipas zgjidhjes së miratuar, nuk do të marrin ndihmën prej rreth 150 eurove në muaj përgjatë 10 vjetëve , por kjo do të shpërndahet në formën tjetër që parasheh të përfshijë më shumë kategori, ndërkohë që do të ketë edhe ndihma tjera për kategori të ndryshme.

“Do të ketë pension social apo pension shtetëror për të gjithë ata persona mbi 65 vjet, por që nuk kanë stazh pune. Kjo është një masë sociale për të moshuarit. Ndihmë do të ketë edhe për ata që nuk kanë kurrfarë të ardhurash, ata që nuk kanë dokumente, ndihmë sociale për fëmijët, për familjet që nxjerrin fëmijë në rrugë për të lypur. Rrogë minimale synojmë të rrihet në 13 mijë denarë, apo në rreth 210 euro”, deklaron Carovska.

Ajo paralajmëron edhe masa tjera për siguri në punë, reforma në sigurimin shëndetësor dhe pensional, e ndihma tjera.

Por, reformat e këtilla të Qeverisë nga opozita nuk shihen si zgjidhje për krizën, në të cilën ndodhet vendin e që, sipas të dhënave, çdo i pesti qytetar i vendit apo rreth 445 mijë qytetarë jetojnë nën pragun e varfërisë.

“Të gjitha masat e politikës sociale janë në funksion të zbutjes së varfërisë, asnjëra prej tyre nuk e nxjerr vendin nga kriza, por vetëm se mund ta zbusin varfërinë, efektet e tyre janë të përkohshme dhe është e pakuptueshme që zhvillimi i mirëqenies, rritja e standardit jetësor të bazohet në politikat sociale”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Hilmi Aziri, nga Aleanca për Shqiptarët dhe ish-zëvendësministër i Punës dhe Politikës Sociale.

Ai në veçanti kritikon reformat që parashohin heqjen e ndihmës në para për familjet që kanë edhe fëmijën e tretë. Ky vendim, sipas tij, nuk duhet të hiqet pasi nuk kishte të bënte me aspektet sociale, por me shtimin e natalitetit dhe këtë ai e ndërlidh me strukturën etnike.

“Shqetësimi kryesor është te struktura etnike e shfrytëzuesve të kësaj të drejte. Nga gjithsej 42 milionë euro që jepen në vit në emër të kësaj ndihme, 45.6 për qind janë familje shqiptare që e pranojnë këtë subvencion, 31 për qind janë familje maqedonase, 9.4 për qind familje rome, 7.8 për qind familje turke, e kështu me radhë. Pra, është shume evidente se shqetësimi kryesor është etnia e familjeve që e marrin këtë ndihmë sociale. Kjo mund të vërtetohet nëse e analizojmë vetëm një shembull, Tetovën, ku nga 3372 familje që e pranojnë këtë ndihmë, 2,960 janë shfrytëzues shqiptar”, thotë Aziri.

Nga opozita thonë se Qeveria duhet të punojë për zbatimin e politikave të mirëfillta ekonomike, në të gjitha zonat e vendit,pavarësisht përkatësisë së tyre etnike pasi vetëm kështu, sipas saj, mund nxitet rritja ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës dhe rritja e standardit jetësor, që më pas të mos ketë nevojë për ligje të panumërta për ndihma sociale.