Doganat, 155 raste të zbuluara për falsifikim të mallrave

Doganat, 155 raste të zbuluara për falsifikim të mallrave

Nën dyshimin për falsifikim të mallrave të markave të njohura tregtare, Dogana e Kosovës, në periudhën e deritashme të këtij viti  ka sekuestruar mallra në vlerë prej rreth një milion euro. Ndërkaq në vitin 2018 janë konfiskuar mallra në vlerë prej 2 milion euro. Sipas zyrtarëve të Doganës, produktet apo brendet më të atakuara nga falsifikimi, janë veshmbathjet, produktet ushqimore dhe pijet, medikamentet, telefonat mobilë, pajisjet elektrike.

Në tregun e Kosovës mund të blihen mallra me etiketa të brendeve botërore, si  Adidas, Nike, Louis Vuitton dhe disa firmave tjera të njohura me çmime shumë më të ulëta, por që janë të falsifikuara dhe të kualitetit të dyshimtë.  Lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i Doganës Adriatik Stavileci, ka thënë për RTK Radio, se brenda këtij viti në 151 raste janë zbuluar mallra të falsifikuara të markave të mbrojtura, ndërkaq në vitin e kaluar kemi pasur 551 raste në vlerë prej 2 milion euro.

“Në periudhën e këtij viti kemi zbuluar deri tani 155 raste në sasi prej 1 milion euro  ku një sasi e madhe prej tyre janë konfiskuar si raste të cilat kanë shkelur pronësinë intelektuale”, ka thënë Stavileci.

E ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë të ditur për Radio Kosovën se numri i aplikimeve për patentim apo të drejtën ekskluzive për një produkt apo shpikje të re brenda këtij viti është vetëm 9. Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Elhami Ismajli, ka thënë se këto aplikime më shumë janë të fushës farmaceutike dhe teknologjike.

“Nëse llogarisim në përqindje, atëherë mbi 70% të aplikimeve janë të natyrës farmaceutike, për shkak se aplikuesi e sheh rrezikun e kopjimit të formulës brenda tregut të Kosovës. Ndërsa patentat e tjera në fushat të cilat janë në zhvillim, si ato të telekomunikimit digjital apo teknologjisë kompjuterike, të cilat janë të shpeshta në Evropë, ato mungojnë në Kosovë, pasi aplikuesi nuk e sheh rrezikun e kopjimit të tyre brenda Kosovës”, tha Ismajli.

Valon Kashtanjeva drejtor në Zyrën për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta ka thënë se të drejtat e autorit janë nxitje për krijim dhe kreativitet. Ndërsa të drejtat e pronësisë industriale, përkatësisht markat tregtare, patentat, treguesit gjeografik, sekretet tregtare, janë nxitje për inovacion dhe kreacion në fushën e shkencës e teknologjisë dhe ndërmarrësis në vendin tonë.

Vetëm në vitin 2018 janë marr shumë veprime të organizuara nga ana e institucioneve shtetërore kundër piraterisë dhe falsifikimit, kryesisht nga ana e Inspektoratit të Tregut, Policisë dhe Doganës së Kosovës, të cilat kanë sjellë rezultate të kënaqeshe por që mbetet për t'u bërë ende shumë punë në aspekt të zbatimit të këtyre të drejtave tha Kashtanjeva.

Autor: Arbenita Marmullaku