Përkujtohet dëshmori i kombit, Enver Topalli në 20 vjetorin e rënies

Përkujtohet dëshmori i kombit, Enver Topalli në 20 vjetorin e rënies

Sot, 20 vjet nga Masakra në Burgun e Dubravës, krerët shtetëror të nivelit lokal dhe qendror, u mblodhën në varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, për të bërë homazhe pranë varrit të dëshmorit, Enver Topalli.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu vendosi kurora lulesh në varrin e dëshmorit të kombit, Enver Topalli në 20 vjetorin e rënies së tij, në masakrën e Dubravës.

Ndërsa me dhimbje e pikëllim e përkujtoi edhe i biri i Enver Topallit, Edlir Topalli.

“Sot jemi mbledh ta përkujtojmë babin në 20 vjetorin e rënies në Burgun e Dubravës, një ditë e dhembshme që duhet me përkujtu, lavdi për të gjithë dëshmorët e Kosovës që kanë rënë e kanë dhënë jetën, që ne sot të jemi të lirë, ta gëzojmë lirinë” tha i biri i dëshmorit të kombit, Enver Topalli.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj, Gafurr Bytyçi vlerësoi lart heroizmin e dëshmorit Enver Topalli dhe sakrificën e gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e Kosovës.

“Sot është dita kur në mënyrën më monstruoze, më makabre,  Serbia vrau njerëzit, i bombardoi njerëzit në Burgun e Dubravës. Me të gjitha të drejtat ndërkombëtare, në gjithë botën të burgosurit e kanë një garancion nga shteti që i ka burgosur por shteti që i ka burgosur afër 200 djem të rinj shqiptarë, patriotë, i ekzekutoi në mënyrën më makabre në Dubravë. Në grupin e atyre njerëzve që u ekzekutuan në Dubravë ishte edhe Enver Topalli, Ahmet Hoxha nga Ferizaj. Ne si shoqatë e familjeve të dëshmorëve dhe si komb patjetër se krenohemi me jetën dhe veprimtarinë e Enver Topallit i cili nuk kurseu asgjë nga jeta për kombin dhe atdheun” tha Gafurr Bytyçi, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj./kp/


MË SHUME NGA Nacionale