DnV: Zgjedhjet në veri të qeta, por me disa parregullsi

DnV: Zgjedhjet në veri të qeta, por me disa parregullsi

Deri në ora 16:00, 35 për qind e qytetarëve të katër komunave veriore kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave.

Deri në mesditë, i gjithë procesi zgjedhor sipas Demokracia në Veprim ka shkuar qetë, por me disa parregullsi, kryesisht votime familjare dhe probleme me listën e votuesve.

Përfaqësuesi i DnV-së, Shpend Emini në një konferencë për media i renditi gjitha parregullsitë, që sipas tyre kanë shkuar jashtë procesit të rregullt zgjedhor.

“Mund të konstatojmë se procesi  i votimit deri në orën 16:00 ka shkuar në mënyrë të qetë, përveç disa parregullsive që janë cekur nga vëzhguesit tanë në terren. Nëse i shikojmë të gjitha këto parregullsi, të cilat janë raportuar deri në orën 16:00.  Votimi familjar është evidentuar 23 vendvotime në katër komunat ku po mbahen zgjedhjet. Ankesa ka pasur dhe këtë herë sa i përket listës së votuesve. Nga informatat që i kemi nga terreni janë raportuar 6 raste për probleme me listën e votuesve. Ka pasur pesë raste të votimit jashtë kabinës. Këto janë raportuar në disa komuna të veriut. Dhe ka pasur 2 raste të votimit të dyfishtë këto janë evidentuar  një në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe një në atë të Leposaviqit në fshatin Koshtovë”, tha Emini.

Sa i përket përqindjes së daljes në zgjedhje deri në orën 16:00, ai tha se janë rreth 35 për qind e qytetarëve që kanë  dalë për të votuar.

 “35 për qind e qytetarëve e katër komunave kanë përdorur të drejtën e tyre për të dalë në zgjedhje. Nëse i krahasojmë të dhënat paraprake me këto të orës 16:00. Sipas komunave,  Zubin Potok, dalja ka qenë 39 për qind, në Zveçan 38 për qind në komunën e Leposaviq 34 për qind dhe në komunën e Mitrovicës së Veriut dalja ka qenë 33 për qind”, tha Emini.

Në lidhje me mundësitë që të ketë presion për vota nga grupe të caktuara, në këtë konferencë u tha se deri më tash nuk ka asnjë informatë lidhur me këtë çështje.


MË SHUME NGA Aktuale