Kontrollorët ajror sërish në grevë

Kontrollorët ajror sërish në grevë

Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës ka vendosur të hyjë në grevë për shkak të mos zbatimit të marrëveshjes së mirëkuptimit të nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

SINKON thotë se më datë 27 maj do ta mbaj grevë paralajmëruese në kohëzgjatje prej një ore, konkretisht nga ora 08:00 deri në ora 09:00. Ndërsa më datën 28 maj, greva do zgjasë prej orës 08:00 deri në ora 16:00.

Sipas kësaj shoqate, miratimi i ligjit të pagave kishte shkaktuar pakënaqësi të mëdha te kontrollorët e trafikut ajror dhe kishte rezultuar me mbajtje të grevës në muajin shkurt.

Shoqata ka sqaruar se gjatë kësaj kohe si rrjedhojë e mirëkuptimit të ndërsjellë mes Shoqatës Sindikale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit me datë 22 shkurt, ishte nënshkruar një memorandum i mirëkuptimit me qëllim që me bashkëpunim në mes të MIT dhe SINKON të rregullohet statusi ekonomiko-financiar për kontrollorët e trafikut ajror përmes amandamentimit të Ligjit të ASHNA-së ose përmes zbatimit të Marrëveshjes Kolektive Sektoriale(MKS).

“Në kohën e hartimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, shprehja e vullnetit pozitiv për të adresuar pakënaqësitë e Kontrollorëve të Trafikut Ajror në lidhje me Ligjin e Pagave gjatë takimeve me ministrin Pal Lekaj ishte shpresëdhënëse se gjërat më në fund po shkonin në drejtimin e duhur. Përkundër insistimeve të SINKON për takim me MIT si dhe kërkesave për zbatim të marrëveshjes në afat kohor të përcaktuar, SINKON nuk ka marrë përgjigje konkrete apo zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. Për t’i dhënë hapësirë krerëve të institucioneve, respektivisht Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, anëtarësia e SINKON njëzëri vendosi që të shpallë grevë paralajmëruese në kohëzgjatje prej një ore më datë 27.05.2019 (prej orës 08:00 deri në ora 09:00). Ndërsa më datën 28.05.2019, greva do zgjasë prej orës 08:00 deri në ora 16:00. Duke qenë se Ligji për Greva në nenin 17 njeh kontrollin e trafikut ajror si shërbim jetik, gjatë kohëzgjatjes së grevës, kontrollorët do të sigurojnë minimumin e procesit të punës duke i ofruar shërbime të trafikut ajror fluturimeve ushtarake, shtetërore dhe ambulantore në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

SINKON ka këkruar nga institucionet e Kosovës të reflektojnë dhe i ftojnë përsëri në zhvillim të dialogut social, përndryshe masat sindikale do të përshkallëzohen si përgjigje ndaj pasigurisë në punë që është duke u krijuar për arsyeje të mos zbatimit të marrëveshjes së mirëkuptimit.

Autor: RTKlive